RTSH 24 Live

Ekonomi

Paketa fiskale, ja ndryshimet që pësoi

25/11/2021

Paketa fiskale, ja ndryshimet që pësoi

Qeveria Shqiptare duket se është tërhequr nga disa prej propozimeve të saj, të përfshira në paketën e re fiskale tre vjeçare që shoqëron buxhetin e bitit të ardhshëm. Debati që ka shoqëruar diskutimin nen për nen të projekligjeve dhe propozimet që kanë ardhura nga aktorët e ndryshëm.

Përfshirë vetëm deputetët dhe përfaqësuesit e sipërmarrjeve, kanë ndryshuar më shumë se tetë propozime të qeverisë që kanë dhënë efekt financiar në buxhetin e vitit që vjen.

Sipas informacioneve të mbledhura nga diskutimet, është bërë e njohur se tashmë janë miratuar nen për nen dhe në tërësi, projektligjet e Paketës Fiskale të cilat shoqërojnë projekligjin “Për Buxhetin e vitit 2022”.

Ndryshimet kryesore të këtyre projektligjeve janë:
Në projektligjin për taksat kombëtare:
-U miratua vendosja e taksës kombëtare për qumështin pluhur (100 lekë/kg), për hirrë qumështi (150 lekë/litër), për pijet e homogjenizuara (16 lekë/litër) dhe për krem qumështi (150 lekë/ litër), taksave këto të vendosura me fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
– U vendos taksa në masën 40 lekë/litër për lëndën djegëse të përdorur si karburant për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi.

Në projektligjin e akcizave: 
– U vendos si afat maksimal i zbatimit të politikës së rimbursimit për industrinë prodhuese, data 31 dhjetor 2023.
– Nisur nga situata aktuale e krizës energjitike, u vendos që aplikimi i unifikimit të çmimit të gazit me 6 lekë/litër për të gjithë përdoruesit të fillojë të aplikohet nga 1 korriku 2022.

Në projektligjin për TVSH-në:
– U hoq përjashtimi nga TVSh-ja i inputeve bujqësore duke u zëvendësuar me vendosjen e një shkalle të reduktuar të tvsh-së në masën 10%.

Në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat: 
-U miratua, rritja e pagës dysheme të patatueshme (me tatim zero %), për të ardhurat nga paga në intervalin nga 0 (zero) deri në 40,000 lekë/muaj, përkundrejt intervalit 0 (zero) deri 30 000 lekë/muaj që është aktualisht.

Ndryshimet e mësipërme pritet të ndryshojnë edhe projektsionin e të ardhurave të parashikuara për vitin 2022. Sipas draftbuxhetit të paraqitur, qeveria kishte planifikuar të siguronte të hyra fiskale 5,4 miliardë lekë dhe të shpenzonte rreth 6.4 miliardë, duke rritur deficitin buxhetor.

Rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1 për qind e shoqëruar me një ulje të normës së papunësisë nga 11.4% në 2021 në nivelin 10.3% të parashikuar për vitin 2022.

Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështeten edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 6.4% e PBB-së.