RTSH 24 Live

Rajon

Pahor në Serbi: Vendet e Ballkanit, bashkë në BE

14/05/2021

Pahor në Serbi: Vendet e Ballkanit, bashkë në BE

Samiti Bërdo-Brioni, që do të mbahet më 17 maj në Slloveni, do të duhet të nxjerrë një deklaratë, me të cilën do t’i dërgohej mesazh Bashkimit Evropian, se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen bashkërisht në BE, tha të premten në Beograd presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Pahor tha se kjo është ideja më e përshtatshme për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Nëse të hënën [17 maj] jemi të bashkuar dhe këtë mesazh e dërgojmë në Bruksel, kjo do të ishte një vlerë shtesë për procesin e zgjerimit të BE-së. Pres bisedime të hapura dhe konstruktive, pavarësisht disa ndryshimeve në qëndrime. Besoj se nga samiti do të dërgohet një deklaratë që jep shpresë për zgjerimin e përshpejtuar të BE-së”, tha Pahor.

Vuçiç tha se Serbia nuk ka asgjë kundër anëtarësimit bashkë në BE. “Sigurisht, gjithmonë do të matet se kush çfarë ka bërë dhe kush nuk ka bërë, por ne gjithashtu jemi në favor të një qasjeje më të rëndësishme gjeopolitike ndaj të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka marrëdhënie ideale, por ne jemi në rrugën më të mirë për Serbinë dhe kjo është rruga për në BE”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Serbia është për dialog me Kosovën, nën ndërmjetësimin e BE-së. “Ne besojmë se asnjë konflikt i ngrirë nuk është i mirë. Nuk duhet t’ua lëmë problemet brezave të ardhshëm, por të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Mirëpo, sigurisht, dy janë gjithmonë të nevojshëm për të luajtur tango”, tha Vuçiç.

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojnë në qershor.

Më 17 maj, Sllovenia do të jetë nikoqire e samtit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni.

Bërdo-Brioni është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe BE-së./REL