RTSH 24 Live

Rajon

Pahor kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan: Ndryshimet e kufijve në këtë pjesë të Europës nuk bëhen pa flijime!

06/05/2021

Pahor kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan:  Ndryshimet e kufijve në këtë pjesë të Europës nuk bëhen pa flijime!

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor shprehet kundër ridizenjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se një gjë e tillë nëse ndodh nuk mund të përfundojë në paqe. "Me këtë qasje do të zvogëlohet rëndësia e debatimit të ri për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Sipas mendimit tim ky proces nuk mund të përfundojë në mënyrë të paqtë. Me anëtarësinë e BE-së kufijtë mes shteteve bëhen më pak të rëndësishme dhe nuk ka nevojë për ndryshimin e tyre. Dimë nga përvoja që ndryshimet e kufijve në këtë pjesë të Europës nuk bëhen pa flijime. Besoj se ne udhëheqësit e kësaj Europe dhe të BE-së e kemi obligim që sot në këtë kohë më të komplikuar të japim ide të re si të zhvillohet më shpejt dhe më entuziastë" tha zoti Pahor para homologut të tij shqiptar Ilir Meta. 
Presidenti i Sllovenisë ndodhet në Tiranë  për një vizite pune në Shqipëri, në kuadër të përgatitjes së takimit të radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet më 17 maj 2021 Borut Pahor nënvizoi se e vetmja rrugë është integrimi sa më shpejt i tërë Ballkanit në BE. Sllovenia do të organizojë Samitin e ardhshëm të Procesit të Brdo-Brijunit më 17 maj dhe njëkohësisht do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian më 1 korrik të këtij viti.