RTSH 24 Live

Kosova

Osmani uron besimtarët ortodoksë për Pashkët

02/05/2021

Osmani uron besimtarët ortodoksë për Pashkët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve.

Presidentja Osmani ka thënë se ringjallja, ringritja dhe shpresa janë elementet kryesore të kësaj feste, e cila edhe këtë vit po kremtohet në rrethana jo të lehta për secilin prej nesh. “Nëpërmjet solidaritetit dhe urimeve virtuale, sot besimtarët do të mund ta përçojnë mesazhin e Pashkëve, duke respektuar masat antikovid dhe duke uruar që festimi i radhës  nuk do të na gjejë të distancuar fizikisht”, tha Osmani.

Më tej, në urimin e saj, presidentja Osmani ka theksuar se festat si kjo janë manifestim i vlerave tona të përbashkëta njerëzore, humanizmit e solidaritetit me të cilat çdo betejë fitohet, ngjallet shpresa për të ardhmen! “Në këtë ditë feste, duhet t`i kujtojmë ata që po bëjnë të pamundurën për t`i zvogëluar humbjet dhe dhimbjet nga pandemia. Kremtet tona tradicionalisht janë shquar për solidaritet të ndërsjellë. Në këtë ditë, uroj që paqja dhe respekti të mbretërojë në secilën familje”, u shpreh Osmani.