RTSH 24 Live

Rajon

Osmani: SHBA s’e lejon prekjen e sovranitetit në marrëveshjen me Serbinë

30/07/2022

Osmani: SHBA s’e lejon prekjen e sovranitetit në marrëveshjen me Serbinë

Pas vizitës në SHBA, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se mori konfirmimin nga Uashingtoni se në marrëveshjet me Serbinë nuk do të lejohet prekja e sovranitetit të Kosovës.

Teksa e cilësoi takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken jashtëzakonisht të rëndësishëm, Osmani tha se gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“E para ishte për fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Shumica dërrmuese e njohjeve dhe anëtarësimeve në masë të madhe janë edhe me përkrahjen e  SHBA-së. Kemi diskutuar në esencë se si mund të forcohet pozicioni i Kosovës dhe si mund të rritet numri i njohjeve.  Personalisht, Blinken, por edhe Biden, kanë qenë edhe në të kaluarën investues. Blinken është shumë i informuar se ku mund të punohet më shumë që Kosova të vazhdojë jetë histori suksesi. Kemi përkrahjen e SHBA që të bëhen hapa konkretë. U rikonfirmua që procesi të përqendrohet në njohje reciproke dhe kemi shprehur qëndrimet tona dhe e kemi informuar se ku qëndrojmë, p.sh për energjinë, me fazën e implementimit dhe çështje të tjera. Është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që assesi nuk shtyn përpara një çështje që do ta prekte sovranitetin dhe rregullimin kushtetues të Kosovës”, tha Osmani.

/rtsh.al/