RTSH 24 Live

Kosovë

Osmani për CNN: Kosova është nën sulm. Nëse s’ndëshkohet, Serbia do ta vazhdojë agresionin edhe në rajon

03/10/2023

Osmani për CNN: Kosova është nën sulm. Nëse s’ndëshkohet, Serbia do ta vazhdojë agresionin edhe në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për CNN, u shpreh se Kosova është nën sulm, ndërsa kërkoi ndëshkimin e Serbisë. Edhe njëherë, Osmani tha se sulmi në veri ishte organizuar nga Beogradi zyrtar dhe se ishte i planifikuar “në stilin e Krimesë”.

Presidentja e Kosovës kërkoi që Serbia të dorëzojë Milan Radojçiq, i akuzuar si organizues i sulmit në veri.

Kosova është nën sulm. Kosova është viktimë e një agresioni që ndodhi vetëm 1 javë më parë. Gjëja e parë që duam është që Raidoçiq t’i dorëzohet Kosovës që drejtësia të vihet në vend. Jemi në komunikim me aleatët. Kosova po përballet me sfida sigurie nga Serbia pas aktit të agresionit më 24 shtator. Është urdhëruar nga aparati shtetëror serb, ky akt agresioni nuk ndodhi vetëm një herë, ishte i planifikuar sikur në stilin e Krimesë. Për të ndaluar këto akte agresioni, duhet sanksionuar e ndëshkuar Serbinë, por nëse nuk ka ndëshkim, ata do të inkurajohen që të përdorin dhunën, jo vetëm në Kosovë, por në rajon”, tha Osmani.

Ndalur te marrëveshja e Brukselit, Osmani u shpreh se Kosova është e angazhuar ta zbatojë, po u shpreh se pala serbe nuk po bën të njëjtën gjë.

Ka vetëm një palë konstruktive në atë dialog, dhe ajo ka qenë Republika e Kosovës që i ka plotësuar 99% të detyrimeve. Është krejtësisht e kundërta ajo që ka bërë Vuçiq. Serbia s’ka realizuar asnjë marrëveshje. Ka një listë të gjatë të obligimeve që i ka ndërmarrë që nga 2011. Më 2013, Serbia u zotua për shpërbërjen e të gjitha strukturave ilegale në veri, por ato u kthyen në banda kriminale që po kryejnë akte terroriste me urdhër të Serbisë. Kosova është zotuar se do t’i zbatojë marrëveshjet, nisur nga ajo e Brukselit dhe e Ohrit. Do të thotë, është zotuar për vetëmenaxhim për serbët. Por të mos harrojmë, Kosova po kërkon diçka të thjeshtë: duam balancim dhe drejtësi në atë dialog, që nuk e kemi pasur”, u shpreh Osmani.

/rtsh.al/