RTSH 24 Live

Kosovë

Osmani në Samitin për Demokracinë: Vendeve të njohin Kosovën, do kenë krahë tyre një aleat

29/03/2023

Osmani në Samitin për Demokracinë: Vendeve të njohin Kosovën, do kenë krahë tyre një aleat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje shteteve që se kanë njohur ende atë si shtet, që ta bëjnë një gjë të tillë, pasi do të kishin në krah të tyre jo vetëm një mike por edhe një aleat të përkushtuar.

“Sot dua të shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje vendeve mike nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën dhe për ato vende që nuk e kanë njohur ende shtetësinë tonë dhe institucionet tona demokratike, që të ju bashkohen shumicës së vendeve të botës dhe ta bëjnë atë. Nuk do të fitoni vetëm një mike, por një aleat të përkushtuar”, tha Osmani.

Kjo deklaratë u bë nga Osmani gjatë fjalimit të saj në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden. Presidentja tha se Kosova punon fuqimisht në forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e vlerave demokratike, ndërsa pati një vlerësim për vendet që mbështetën Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë.

“Rikujtoj se ju kolegë të dashur me kontributin tuaj mundësuat që sot Kosova të jetë e lirë dhe demokratike pasi zgjodhët të mos mbyllnit sytë para tiranisë dhe gjenocidit. Ju nuk ndihmuat vetëm në forcimin e demokracisë, por shpëtuat edhe jetë”, tha Osmani.

Në fund presidentja Osmani tha se vendi i saj është i angazhuar në drejtim “të fuqizimit të demokracisë dhe përhapjes së vlerave demokratike për ruajtjen e shtyllave mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë moderne, prosperuese e filozofia e të cilave është e përqendruar në ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”.

Samiti për Demokraci u zhvillua për herë të parë në dhjetor të vitit 2021. Ky samit virtual bashkon mbi 100 shtete nga e gjithë bota.

/rtsh.al/