RTSH 24 Live

Politikë

Osmani dhe Presidenti i Malit të Zi kundër “Ballkanit të Hapur”, Rama: Nismë që nxit paqen, nuk do ndalet

18/05/2022

Osmani dhe Presidenti i Malit të Zi kundër “Ballkanit të Hapur”, Rama: Nismë që nxit paqen, nuk do ndalet

“Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, kështu i është përgjigjur kryeministri Edi Rama, Presidentit të Malit të Zi dhe Presidentes së Kosovës, të cilët u shprehën sot kundër kësaj nisme rajonale.

Me një postim në Twitter, Rama thotë se kjo nismë nxit paqen, integrimin dhe përshpejton Procesin e Berlinit.

 “Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, shkruan Rama.

Milo Gjukanoviç dhe Vjosa Osmani theksuan sot nevojën e bashkëpunimit rajonal vetëm në kuadër të nismave ekzistuese, duke rënë dakord se "Ballkani i Hapur" nuk është nisma e duhur. Nga Prishtina, ku Gjukanoviç zhvilloi sot një vizitë zyrtare, dy homologët u shprehën se Procesi i Berlinit është iniciativa e duhur për të ofruar bashkëpunimin rajonal në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina nuk janë pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Postimi i kryeministrit Rama në Twitter

 

/rtsh.al/