RTSH 24 Live

Kosova

Osmani: BE-ja t'u qëndrojë besnike vlerave për sundim të ligjit

13/10/2021

Osmani: BE-ja t'u qëndrojë besnike vlerave për sundim të ligjit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se aksioni i 13 tetorit i Policisë dhe Doganës së Kosovës kishte për cak persona të etnive të ndryshme, që sipas saj të përbashkët kishin kontrabandën dhe krimin e organizuar. Presidentja Osmani kërkoi po ashtu që ky aksion të mos quhet "aksion në veri" dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian, që t'u qëndrojë besnike vlerave të saj.

“Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja (Bashkimi Evropian) ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, tha Osmani përmes një reagimi në rrjetin social Facebook. 

Më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”. Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vendosin në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”. 

Policia e Kosovës tha se aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Ky aksion u kundërshtua nga serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, që protestuan dhe ngritën barrikada.

Deri më tani, sipas autoriteteve, janë lënduar dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq janë arrestuar ose ndaluar tetë persona. Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim. Autoritetet në Kosovë thanë se gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh.