RTSH 24 Live

Politikë

Opozita : Maxhoranca nuk ka vullnet për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse

09/07/2024

Opozita : Maxhoranca nuk ka vullnet për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka akuzuar maxhorancën e majtë se nuk ka vullnet për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
I pranishëm në tryezën me temë “Zgjedhjet 2025: Çfarë duhet të bëjë KQZ-ja për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve”, të organizuar nga KQZ me mbështetjen e OSBE-s, zoti Bylykbashi kujtoi se “Rekomandimi i parë i OSBE-ODIHR është zbatimi i ligjit. Por, zbatim të ligjit nuk ka”.

“Lajmi i keq sot është që Partia Socialiste e dështoi reformën zgjedhore" tha zoti Bylykbashi. Sipas tij shqetësimet reale që ka opozita për procesin zgjedhor është se me vendimet e marra, nuk ka dhe nuk do të ketë reformë që mund t’i zgjidh këto shqetësime.

“Do të mbeten të deformuara mekanizmat me të cilat transformojnë votën e shqiptarëve në mandate, rezultati i procesit zgjedhorë do të mbetet ai që kemi parë. Kjo, edhe sikur të shtojmë volumin e votave, pra nëse fusim dhe votën e diasporës, sërish do të transformohen dhe transferohen nga ky mekanizëm. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë deri më sot që në dy vitet e fundit të mos gjendet mundësia për reformë zgjedhore”, tha Bylykbashi.

“Procesi zgjedhor qëllim kryesorë ka që vota e qytetarëve të hidhet e lirë, e fshehtë dhe pa presion dhe në fund të numërohet siç duhet" tha zoti Bylykbashi. 

"KQZ është konceptuar si organ që duhet të jetë si kontrollues dhe balancues mes tre organeve. Arsyeja që kemi shkuar drejt propozimit për balancimin e KQZ, është shumë e rëndësishme, por dhe kjo nuk u lejua siç duket”, tha Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

/ rtsh.al /