RTSH 24 Live

Sociale

Operatorët turistikë në Sarandë, shpresojnë për një sezon të mbarë

03/04/2021

Operatorët turistikë në Sarandë, shpresojnë për një sezon të mbarë

Nisja e vaksinimit të popullatës si në Europë ashtu edhe në vendin tonë, duket se do të jetë një lehtësim i madh edhe për sektorin e turizmit. Punonjësit e turizmit, janë përfshirë në planin e shpejtë të vaksinimit kundër covid 19. Me këtë plan, vendi ynë synon të krijojë mbrojtie dhe siguri për turistët. Prej disa muajsh operatorët turistikë që kanë përjetuar një krizë të madhe gjatë kohës së pandemisë, kanë kërkuar që të jenë ndër të parët që do të vaksinohen. Sipas tyre pritet që ky sezon turistik, të jetë në rreth 20% më mirë se ai i vitit të kaluar.   

 “Referuar situatës turistike për qytetin e Sarandës apo edhe më tej, për Vlorën, Durrësin, do të thosha se është që akoma jemi në pritshmëri. Është një situatë që nuk po i jep akoma dritën jeshile të paktën se si do të jetë vazhdimësia por kjo nuk do të thotë se na bën pesimist, për arsye se duke bërë një përllogaritje të ciklit të vaksinimit i cili ka filluar tre muaj në qytetet perëndimore, nëse bëhet fjalë për ciklin e vaksinimit që ka filluar edhe në Shqipëri, për faktin se mosha e tretë pak a shumë është vaksinuar në destinacionet ose tregjet ku ne presim turistë dhe është pikërisht ajo kategori që ne presim për turizëm në Shqipëri, na qetëson ky fakt dhe së dyti, për faktin që Europa po fillon ngadalë dhe jep dritën jeshile për lirinë e lëvizjes, kjo besoj se do ndjekë edhe paralel me lëvizjet e tyre të lira. Krahasuar me vitin e kaluar që kemi qenë në kulmin e pandemisë dhe padyshim jo me informacion të kompletuar për të marrë masat mbi pandeminë, ky sezon do të jetë ndoshta 20% më mirë se ai i vitit të kaluar. Këto janë parashikime paraprakë referuar statistikave që kemi dhe informacionit që kemi ”, shprehet Arben Çipa kryetar i industrisë së turizmit në Sarandë.   

Sipas planit të paraqitur, janë stafet e hoteleve dhe punonjësit e guidave profesionale dhe ata që mirëpresin turistë në muze dhe vendet turistikë, ata të cilët do të vaksinohen të parët, që të jenë të përgatitur për këtë sezon turistik.