RTSH 24 Live

Kronika

Operacioni i SPAK, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore: Po verifikojmë nëse ka patur rrjedhje informacioni nga policë

20/05/2022

Operacioni i SPAK, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore: Po verifikojmë nëse ka patur rrjedhje informacioni nga policë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar pas deklaratave se operacioni i SPAK, i zhvilluar një ditë më parë (19 maj), u dekonspirua duke bërë të mundur arratisjen e “kokave të mëdha të krimit”.

Nëpërmjet një njoftimi, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se kanë nisur verifikimet për çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni nga punonjës të policisë, apo përfshirje të tyre në aktivitete kriminale.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie. Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme”, thuhet në njoftim.

Operacioni i SPAK u zhvillua një ditë më parë, ku u goditën 8 grupe kriminale, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 4 në Elbasan. Në këtë operacion u lëshuan 32 urdhër-arreste, nga të cilat 18 janë ekzekutuar, ndërsa priten të arrestuar të tjerë që lidhen kryesish me kokat e këtyre grupeve. Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se të arrestuarit paguanin vrasës që të eliminonin kundërshtarët e tyre.

/rtsh.al/