RTSH 24 Live

Ekonomi

Oferta e lartë me prodhime vendase dhe kërkesa e ulet frenuan inflacionin në dhjetor, rritja 1.1%

12/01/2021

Oferta e lartë me prodhime vendase dhe kërkesa e ulet frenuan inflacionin në dhjetor, rritja 1.1%

Fenomeni i rritjes së çmimeve në prag të festave të fund vitit ka marrë fund, teksa shihet se niveli i inflacionit gjatë muajit dhjetor ishte vetëm 1.1 për qind. Rritja ishte në nivel të njëjtë edhe në muajin dhjetor të vitit 2019. Përgjatë vitit 2020 rritja mesatare vjetore e çmimeve ishte 1,6 % nga 1,4 % që ishte në vitin 2019.

Tregtarët e pakicës pohojnë se, ka dy arsye që lidhen me çmimet e ulta në dhjetor. E para , është oferta në rritje me prodhime vendase në një larmishmëri artikujsh që më parë importoheshin në këtë periudhe dhe së dyti një tendencë e re për të mos blerë masivisht për festat e fund vitit.

INSTAT referon se, rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,95 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,24 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,03 pikë secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,31 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin dhjetor 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,5 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,2 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,7 % secili, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,5 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,9 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6 % dhe “Shëndeti” me 0,2 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 5,9 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 4,5 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 3,9 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 2,2 % , “peshk” me 2,1 %, etj.

Krahasuar me muajin nëntor 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 0,7 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Transporti” me 0,2 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,2 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.