RTSH 24 Live

Aktualitet

Nxirren nga kampi Al-Hol në Siri edhe 4 gra dhe 9 fëmijë shqiptarë

27/05/2022

Nxirren nga kampi Al-Hol në Siri edhe 4 gra dhe 9 fëmijë shqiptarë

Nxirren nga kampi Al-Hol në Siri edhe 4 gra dhe 9 fëmijë shqiptarë. Ata do të riatdhesohen në Shqipëri. Të gjithë janë familjarë të luftëtarëve shqiptarë që i’u bashkuan grupeve ekstremiste islamike, që luftonin në Siri dhe Irak.

Ata tashmë janë nxjerrë nga kampi. Autoritetet siriane i kanë dorëzuar te një përfaqësi e kryesuar nga drejtori i Antiterrorit në policinë shqiptare, Alban Dautaj.

Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë sirian, Abdulkarim Omar, i cili ka postuar në rrjetet sociale edhe një foto të nënshkrimit të dokumentit të dorëzimit me përfaqësuesit nga Shqipëria.

Ky është grupi i katërt i shqiptarëve që nxirren nga kampi i “Al Hol”-it, duke e çuar në 38 numrin e shqiptarëve të riatdhesuar. Mendohet se ka ende të tjerë shqiptarë që ndodhen atje.

Më 31 korrik të vitit 2021, u nxorrën nga kampi 5 gra dhe 14 fëmijë, falë ndërhyrjes së autoriteteve libaneze. Në atë rast, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendhëm Bledi Çuçi, shkuan vetë në Bejrut për të pritur gratë dhe fëmijët shqiptarë, me të cilët udhëtuan më pas së bashku drejt Tiranës.

/rtsh.al/