RTSH 24 Live

Aktualitet

Nxënësit e Maliqit angazhohen për një mjedis më të pastër

05/03/2021

Nxënësit e Maliqit angazhohen për një mjedis më të pastër

U zhvillua sot në ambientet e shoqërisë “Administrimi i Mbetjeve të Qarkut Korçë” pranë vend depozitimit sanitar në Maliq një ceremoni për ndarjen e çmimeve të konkursit “Arti i Gjelbër”, i cili u organizua në 3 shkolla në Maliq dhe Libonik. Në ceremoni morën pjesë Kryetari i Bashkisë Maliq, z. Gëzim Topçiu, 6 nxënësit fitues dhe disa mësues të shkollave. Prezantimi i shoqërisë dhe i aktiviteteve të saj nga Administratorja znj. Vjollca Kostreci u pasua nga ndarja e çertifikatave për fituesit dhe mesazhet e nxënësve për mbrojtjen e mjedisit.

Kryebashkiaku i Maliqit Gezim Topçiu e vlerësoi ceremoninë si “një aktivitet sensibilizues shumë i rëndësishëm, i cili ka efekt të madh jo vetëm për nxënësit e talentuar fitues, por për të gjithë nxënësit e shkollave pjesëmarrëse në Maliq dhe Libonik

Ideja e konkursit me tematikë mjedisore “Arti i Gjelbër” lindi nga disa simbole të vizatuara nga të rinjtë në murin përgjatë rrugës në vend depozitimin sanitar. Qëllimi i kësaj nisme ishte nxitja e të rinjve për të përcjellë mesazhe pozitive dhe mjedisore me anë të artit të rrugës. Nëpërmjet konkursit, fëmijët dhe të rinjtë në Maliq sollën 43 imazhe të bukura, me kuptim dhe vlerë, të cilat meritojnë të shfaqen në ambiente publike. Punimet më të mira së shpejti do të realizohen si piktura murale (pllakate). Fituesi i çmimit të parë është Juenis Mehmetllari, nxënës në klasën e VI të shkollës “Agimi”. Konkursi është pjesë e një fushate për rritjen e ndërgjegjësimit rreth çështjeve mjedisore që po realizohet në kuadër të Projektit “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta në Shqipërinë Juglindore” financuar nga bashkëpunimi financiar Gjermani – Shqipëri nëpërmjet Bankës KFW. Krahas kësaj shoqëria “Administrimi i Mbetjeve të Qarkut Korçë” e vlerëson rëndësinë e një marrëdhënie besimi, të hapur dhe transparente me popullatën e rajonit.