RTSH 24 Live

Aktualitet

Nuk respektoi zonën e kufizuar në Potam, gjobitet me 200 mijë lekë pronari i skafit, i bllokohet mjeti për 5 ditë

13/08/2022

Nuk respektoi zonën e kufizuar në Potam, gjobitet me 200 mijë lekë pronari i skafit, i bllokohet mjeti për 5 ditë

Policia kufitare e Vlorës ka nisur kontrollet përgjatë vijës bregdetare për respektimin e rregullave nga ana e mjeteve lundruese. Pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale ku shfaqeshin mjete lundruese në plazhin e Potamit, DVKM ka bërë me dije se është gjobitur me 200 mijë lekë të reja pronari i skafit dhe është bllokuar për 5 ditë mjeti, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen mjete lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë, ju sqarojmë se: Menjëherë, nga DVKM Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë verifikimi i rastit dhe identifikimi i mjeteve lundruese. Pas verifikimit ka rezultuar se njëri prej mjeteve lundruese (skaf) ka lëvizur përtej zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Himarës është bërë shoqërimi i mjetit lundrues, në Portin e Himarës. 

Në bazë të ligjit nr. 43 të vitit 2020, pronari i këtij mjeti, shtetasi P. P., 49 vjeç, banues në Himarë, u ndëshkua me masë administrative 200.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues për 5 ditë, pasi shtetasi P. P. nuk ka respektuar zonën e kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë. Theksojmë se në vendin ku janë bërë filmimet është i përcaktuar nga bashkia Himarë, korridori për hyrje-daljet e mjeteve lundruese. Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik, dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/