RTSH 24 Live

Kosova

Nuk ka shtyrje të zgjedhjeve në Kosovë

13/09/2021

Nuk ka shtyrje të zgjedhjeve në Kosovë

Zgjedhjet lokale në Kosovë nuk do të shtyhen, pavarësisht shqetësimeve në lidhje me pandeminë. Presidentja Vjosa Osmani ka folur pas takimit me krerët e partive politike për mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve lokale, por duket se nuk ka patur dakordësi. Presidentja tha se do të respektojë qëndrimin e krerëve të partive, që zgjedhjet të mos shtyhen por ajo shtoi se kjo nuk do të thotë që pajtohet me këtë qëndrim.

“Mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhjet është dakordimi mes partive në pushtet dhe në opozitë. Ky është standard ndërkombëtar, pra si presidente e vendit e kam obligim të marrë vendime pasi t’i kem konsultuar këto subjekte. Përkundër rekomandimit të ekspertëve shëndetësorë, për ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike, partitë politike nuk u pajtuan me shtyrjen e zgjedhjeve. Unë do ta respektoj këtë, por asesi nuk do të thotë se pajtohem me këtë. Data e zgjedhjeve mbetet ashtu si ka qenë”, tha Osmani.

Osmani u kërkoi partive të respektojnë masat gjatë takimeve elektorale.

"Meqenëse Kushtetuta është e heshtur për shtyrjen e zgjedhjeve dhe mundësia e vetme është gjetja e konsensusit mes palëve, që në këtë moment mungon, unë i ftoj të gjitha subjektet politike, sidomos ata që nuk i kanë respektuar masat deri më tani, që t’i respektojnë masat përgjatë ditëve në vijim, deri më 17 tetor. Nëse ka eskalim të gjendjes, ne do të ulemi sërish e do të diskutojmë për datën e zgjedhjeve. Do ta shohim me kujdes situatën dhe nëse do të ketë situatë të rënduar, do të ulemi të diskutojmë sërish, por për momentin data e zgjedhjeve mbetet 17 tetori”, tha Vjosa Osmani.