RTSH 24 Live

Lifestyle

Nuk është ngrohja globale kërcënimi i ekzistencës së njerëzimit; Ja se cili është ai

02/03/2021

Nuk është ngrohja globale kërcënimi i ekzistencës së njerëzimit; Ja se cili është ai

Ndryshimi i klimës dhe pandemia e koronavirusit mund të jenë kriza që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, por bashkëthemeluesi i Skype Jaan Tallinn beson se kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballet njerëzimi këtë shekull janë të ndryshme.

Zhvilluesi dhe programuesi kompjuterik estonez, i cili ndihmoi në krijimin e platformës për ndarjen e skedarëve Kazaa në vitet 1990 dhe Skype në vitet 2000, i tha CNBC-së se inteligjenca artificiale dhe biologjia sintetike duke i përshkruar si "të panjohura të njohura" janë kërcënimet ekzistenciale të këtij shekulli. "Ndryshimi i klimës nuk do të jetë një kërcënim ekzistencial nëse nuk konfirmohet një skenar i paparashikueshëm," tha ai.

Biologjia sintetike është dizenjimi dhe ndërtimi i përbërësve, pajisjeve dhe sistemeve të reja biologjike, ndërsa "të panjohurat e njohura" janë, sipas Talinit, "gjëra për të cilat mund të mos jemi në gjendje t'i konceptojmë në këtë moment". Shqetësimi i tij rreth inteligjencës artificiale ekziston prej disa vitesh dhe ai shpenzon miliona dollarë për të siguruar që kjo teknologji të zhvillohet në mënyrë të sigurt.  Ndër të tjera, ai ka investuar në laboratorë të inteligjencës artificiale si DeepMind (pjesërisht për të mbrojtur gjurmët e asaj që bëjnë), ndërsa ka financuar gjithashtu kërkime të sigurisë AI në universitete të tilla si Oxford dhe Cambridge.

Duke cituar një libër nga profesori i Oksfordit, Toby Ord, Talini tha se kishte një shans 1 në 6 që njerëzimi të mos mbijetonte këtë shekull.  Libri shprehet se një nga kërcënimet më të mëdha të mundshme është inteligjenca artificiale, ndërsa përkundrazi, shanset që speciet njerëzore të zhduken për shkak të ndryshimit të klimës, janë më pak se 1%.

Për çështjen e inteligjencës artificiale, askush nuk e di se si do të evolojnë makineritë inteligjente, si dhe përpjekja për të menduar se sa i përparuar do të jetë AI, pas 10, 20 ose 100 viteve nga tani, është praktikisht e pamundur.  Kjo sepse sistemet e inteligjencës artificiale kanë filluar të krijojnë sisteme të tjera të inteligjencës artificiale, pa ndërhyrjen e njeriut.

Por cilat janë skenaret ku inteligjenca artificiale mund të kërcënojë njerëzimin?  E para është një "aksident" në një laborator, ku shkencëtarët do të lejojnë që një sistem i inteligjencës artificiale të trajnohet në disa servera natën dhe "në mëngjes bota nuk do të ekzistojë më".  Skenari i dytë mund të shohë shkencëtarët të krijojnë një teknologji që përvetësohet dhe zbatohet në fusha të ndryshme "ku ka pasoja fatkeqe".

Kompanitë e mëdha të teknologjisë po shpenzojnë miliarda dollarë për të zhvilluar inteligjencën artificiale, dhe ndërsa disa nga këto kërkime po bëhen publike, shumë nuk e shohin kurrë dritën e diellit, dhe kjo është diçka shqetësuese.