RTSH 24 Live

Sociale

Një vit nga Konferenca e Donatorëve, BE dhe UNDP po rindërtojnë 58 shkolla e kopshte në 11 bashki

23/02/2021

Një vit nga Konferenca e Donatorëve, BE dhe UNDP po rindërtojnë 58 shkolla e kopshte në 11 bashki

Të rindërtojmë më mirë dhe të ndërtojmë bashkë, këto janë dy parimet që po ndiqen në procesin e ringritjes së godinave arsimore në zonat që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në zonat e Durrësit dhe Krujës. 
Në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes, zyrtarë të UNDP dhe nga delegacioni i Bashkimit Europian ishin në Krujë, Kurbin dhe Durrës për të parë ecurinë e punimeve në ndërtimet që financohen me fondet e BE. 
Në shkollën “Korab Muça” në Krujë një rëndësi shumë e madhe i është kushtuar fortësisë që këto objekte të reja duhet të kenë, duke u përshtatur me standardet e Unionit Europian. Sokol Muçogllava, kryeinxhinieri që drejton punimet në këtë institucion thotë se ky kompleksi shkollor në Qerekë të Krujës do tu shërbejë më shumë fëmijëvë dhe nxënësve  të cilët më herët në dëgjesat e kryera kanë shprehur dëshirat e tyre se çfarë do të donin që të kishte godina e shkollës së re. 
“Objektet tona duhet të jenë më të mira sesa ishin. Objekti ekzistues që ishte, ishte një garnizon ushtarak në kushte shumë të këqija për fëmijët, Objekti i ri nga ana sizmike do të jetë më i sigurt”, tha inxhineri Sokol Muçogllava.
Këto objekte të reja janë sinjale shpresë për fëmijët dhe banorët e këtij komuniteti. Shkolla dhe kopështi i vjetër vinte në rrezik jetët e tyre, thonë fëmijet dhe banorët. 
Një tjetër objekt që është thuajse drejt përfundimit është edhe shkolla “Demokracia” në Kurbin e cila sipas inxhinierëve do të jetë gati për pak muaj dhe në dispozicion të 144 nxënësve. 
Një tjetër objekt që është gati të hapë dyert për fëmijët e qytetit të Durrësit është kopështi “1 Qershori”, një godinë e vjetër me një stilt ë veçantë në të cilën për nga aspekti ndërtimor janë përdorur të gjitha standartet moderne të kohës. 
Për Andrea Vera Marcon, shef sektori në Delegacionin e Bashkimit Europian në projektet që po implementohen element i rëndësishëm është mënyra se si verifikohet investimi në territor. “Programi është i monitoruar në 4 mënyra. Fillimisht UNDP, si implementuese e projektit ka vetë mënyrat e saj të monitorimit. Së dyti BE monitoron implementimin e programit, duke vizituar vendet ku po ndërtohet. Së treti BE monitoron përmes audituesve të jashtëm, të cilët vijnë dhe shikojnë aspekte të zhvillimit të projekteve. Një mënyrë tjetër shumë e rëndësishme është edhe përmes portalit të transparancës, në të cilin të gjithë mund të futen dhe të verifikojnë ecurinë e projekteve”, tha Andrea Vera Marcon shef sektori në Delegacionin e Bashkimit Europian
Ndërsa përfaqësuesi i UNDP thekson se standardi i ri me të cilin këto kopshte dhe shkolla po ndërtohen nga fondet e BE shërbejnë edhe si modele për mënyrën se si duhet të jenë për shkollat në Shqipëri.
“Të rindërtojmë më mirë është një moto që na shtyn neve t’i ringremë këto shkolla më të mira se sa ishin më parë. Ka të bëjë me ndërtimin e shkollave me standardet e duhura sipas eurokodeve për mbrojtjen sizmike. Ka të bëjë edhe më facilitete si interneti, ashensorët për personat me aftësi të  kufizuara, laboratorë dhe shumë aspekte të tjera”, u shpreh Nuno Queiros, zëvendës përfaqësues i përhershëm i PNUD.
“BE për shkollat” është një program i cili financohet nga Bashkimi Europian për të ndihmuar procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Falë këtij projekti do ndërtohen dhe rikonstruktohen 58 objekte arsimore në 11 bashki. Vetëm për tri objektet që ne vizituam vlera ndërtimore shkon në 3 miliardë lekë, projekt i cili pritet të ndikojë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetesës së këtyre komuniteteve.