RTSH 24 Live

Sociale

Një jetë si vreshtar, 81-vjeçarit nuk i shteron pasioni për punën

16/09/2023

Një jetë si vreshtar, 81-vjeçarit nuk i shteron pasioni për punën

Iljaz Mersini është një 81-vjeçar nga krahina e Lunxhërisë me pasion të madh për punën dhe kujdesin e vreshtave. Edhe sot ai ka të njëjtën dashuri për punën si kur ishte student agronomie.

Iljaz Mersini ka një jetë që merret me kultivimin e vreshtarisë. 81-vjeçari nga fshati Karjan i krahinës së Lunxhërisë na flet me pasion të madh për punën dhe kujdesin e vazhdueshëm për vreshtat e mbjella. Duket qartazi që Iljazi nuk njeh moshë.

Mesa duket ky pasion është lidhur fort ngushtë me të që kur ishte student për Agronomi. Nga aty ai mori mësimet të cilat vazhdon ende kësaj dite t'i praktikojë. Për RTSH ai ka treguar për fazat e ndryshme dhe rëndësinë, cilësinë dhe  prodhimin e rrushit të llojit sheshi i zi.

Karjani është një fshat me njerëz shumë punëtorë të cilët kryesisht merren me bujqësi. Ky fshat ka një mikroklimë të favorshme për rritjen e një sërë kulturash siç janë ulliri, lajthia etj. Ndërsa 12 fermerë kanë zgjedhur të kultivojnë vreshtari.

Këtë vit fermeri 81-vjeçar nuk arriti të merrte prodhim, edhe pse ia bëri të gjitha shërbimet e duhura, kjo për shkaqe natyrore.

Mersini na flet me keqardhje të madhe për mungesën e një tregu të sigurt të rrushit dhe produkteve të tij. 12 kuintal raki nxori para 7 vitesh, i ka akoma të pa shitur. 

Vreshti, pjergulla në lis, prodhimi i verës dhe rakisë së rushit janë traditë e lashtë në krahinën e Lunxhërisë. Degët dhe gjethet e hardhisë janë imazhe dhe motive që dekorojnë me larminë e ngjyrave të tyre muret, oxhaqet, ikonostaset e kishave deri edhe kostumet tradicionale lunxhe të grave dhe burrave lunxhotë.

Gazetare: Megi Mëhilli

/rtsh.al/