RTSH 24 Live

Sociale

Nje dite pranvere prane banoreve te fshatit Sotire

01/05/2021

Nje dite pranvere prane banoreve te fshatit Sotire

Fshatin Sotirë në bashkinë e Dropullit e gjen sapo ikën nga Gjirokastra rreth 12 km larg rrugës kombëtare për në doganën e Kakavijës dhe  25 km larg qytetit të Gjirokastrës. Eshtë një fshat piktoresk me një terren të pasur që përmban peisazhe tërheqës, florë dhe faunë të pasur dhe unike.

Rreth Sotirës ndodhen gjashtë fshatra të tjerë piktoreskë: Krioneri, Selio, Llongo, Koshovica dhe Llovina. Sotira është fshat minoritar që dikur ka patur më shumë se 400 familje ndërsa në të tani kanë ngelur vetëm 30 banorë dhe ata të moshuar. Po të vesh aty në stinën e pranverës i gjen duke u marrë me punët e stinës, i gjen nëpër oborret e banesave të tyre por edhe në qendër të fshatit.

Ata thonë se Sotira tashmë është fshat turistik dhe se turizmin e shikojnë si një perspektivë për kthimin e të rinjve për të investuar drejt këtij sektori.

 

“Fshati Sotira para 90’ kishte 460 familje tani jemi rreth 30 veta këtu. Fshati ynë në atë kohë merrej me dru që i merrte nga mali, me sherebelë, nxirrnim esencë prej saj sepse kishte punishte këtu dhe kishim të ardhura të mira. Kishte edhe blegtori. Fshati është turistik. Tani banorët merren me gjëra të vogla, me bahçetë, ca kanë ca bagëti, blegtoria dhe bujqësia vazhdojnë por shumë pak, jo si në fillim. Ne jemi në 100 fshatrat turistikë, të huaj vijnë shumë, shkojnë në male por tani ka rënë shumë lëvizja për shkak të pandemisë. Na mungojnë shumë se na gjallëronin fshatin. Kemi gatimet që u ofrojmë, mjaltin sepse këtu kemi shumë bletërritës”, shprehet një zonjë.

 

“Jemi shumë mirë këtu, kemi bahçetë dhe merremi me to, kemi mbjellë qepët, patatet, mbjellim barbunja, më vonë do mbjellim domatet. Unë në mëngjes ngrihem e merrem me punët, kam edhe ca pula, kemi bletët është koha e tyre dhe merremi me to, i ushqejmë, i pastrojmë sepse edhe ato duan një kujdes, këto bëjmë këtu në fshat. Më përpara Sotira ka patur shumë banorë, të gjitha këto shtëpi që shikoni kanë qenë me nga 5-6 veta në familje e tani kanë ikur njerëzit. Atëherë merreshin me punë në male, kishim shumë druvarë. Banorët që kanë ikur kanë investuar në shtëpitë  e tyre por nuk kthehen më .Turistët e duan shumë fshatin tonë, e kanë bërë si fshat turistik sepse është shumë fshat i bukur”, pohon një tjetër.

 

Fshati Sotirë, i përzgjedhur në programin zhvillimor 100 fshatra të Shqipërisë për turizëm rural, me të drejtë është quajtur perlë e natyres shqiptare dhe përfaqëson zonën më piktoreske të Dropullit të Sipërm pranë kufirit me Greqinë.