RTSH 24 Live

Art

Një copëz autentike shqiptare në Bienalen e Venecias

21/04/2022

Një copëz autentike shqiptare në Bienalen e Venecias

U hap të enjten në hapësirat e Arsenales në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, pavijoni shqiptar, prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi, kuruar nga Adela Demetja.

Në këtë edicion të 59-të Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më.

Ceremoninë e hapjes e përshëndeti ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndër të tjera u shpreh se “Lumturi Blloshmi është simboli i tejkalimit. I tejkalimit të çdo lloj vështirësie që të përball jeta.

“Lumturi Blloshmi është simbol i brezit të vet, që krijoi në një periudhë të egër për artin e më pas u përballën me ndryshimet e sistemeve politike, që i detyronin të vraponin për të kapur kohën e humbur nën diktaturë”, tha ministrja.

Margariti e cilësoi ekspozitën një copëz autentike shqiptare, që i prezantohet botës si një histori personale, por edhe si përfaqësuese e një brezi artistësh, që tejkaluan barrierat e regjimit, duke filluar çdo herë nga e para.

“Jam e kënaqur që këtë vit kemi në Bienale një skuadër më së shumti femërore, paraprirë nga Lumja, te Adela e stafi që bënë të mundur ngritjen e këtij pavijoni, në një format, që aq sa zbulon aq edhe na lë shijen e misterit dhe dëshirën për të zbuluar më shumë mbi botën e një artisteje; që i rri më së miri konceptit të përgjithshëm të këtij edicioni, që kurohet nga Cecilia Alemani, e para grua italiane në këtë pozicion kaq të rëndësishëm”, u shpreh Margariti.

Ndërsa kuratorja Adela Demetja u shpreh se asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur, që do të thotë promovimin e veprës sëLumturi Blloshmit.

“Lumja na ka lënë një arkiv shumë të pasur, e shtrirë në një periudhë të gjatë kohore. Na ka lënë vepra, dorëshkrime, letra, përmes së cilave kuptojmë botën e saj dhe kontekstin ku ajo jetoi”, tha Demetja.

I pranishëm ishte edhe nipi i artistes, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh se Lumja “u martua me artin e saj”, jetoi për të dhe tejkaloi të gjitha pengesat që i përballi jeta.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë artistë e artdashës nga Shqipëria e Kosova dhe pavijoni shqiptar u vizitua nga personalitete të artit dhe kulturës botërore.

Artistja Blloshmi u nda nga jeta në vitin 2020 për shkak të COVID-19.