RTSH 24 Live

Politikë

Nisma për shkarkimin e Metës, Balla: Kemi prova, presidenti shkeli Kushtetutën!

03/05/2021

Nisma për shkarkimin e Metës, Balla: Kemi prova, presidenti shkeli Kushtetutën!

Mazhoranca është e vendosur të vijojë me procesin e shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Kryetari i grupit parlametit të Partisë Socialiste bëri me dije se 50 deputetë kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta. Sipas Ballës, presidenti ka shkelur rëndë Kushtetuten e vendit.“Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e më shumë se ¼ e anëtarëve të Kuvendit, rreth 50 deputetë, të cilët kanë depozituar kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit, se ky i fundit para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Duke u nisur dhe nga një rezolutë e mëparshme e Kuvendit që i kërkon presidentit të rikthehet në binarët e përcaktuara nga Kushtetuta, lidhur me ushtrimin e detyrës nga ana e tij, gjë që nuk ka ndodhur, pasi ai ka vazhduar edhe pas kësaj rezolute të kryejë veprime kundër ligjit”, tha Balla.
Në një deklaratë për median nga Kryesia e Kuvendit Balla sqaroi se kërkesa e socialistëve, pas shqyrtimit në Kuvend, do të kalojë në Komisionin e Ligjeve, prej ku do t’i hapet më pas rruga ngritjes së Komisionit Hetimor. “Kjo kërkesë nga ana e kryetarit të Kuvendit do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve, që brenda një afati duhet të shprehet nëse kërkesa i plotëson kriteret ligjore e formale e m pas do duhet të ngrihet Komisioni hetimor, për të vërtetuar nëse qëndrojnë dyshimet e ngritura. Besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më 8 korrik. Nuk do doja të bëja asnjë deklaratë tjetër përpara se Komisioni i Ligjeve ta shqyrtojë kërkesën, pasi nuk dua të ndërhyj aspak në mandatin që ka ky komision, por si një prej firmëtarëve besoj se në dokumentin shumë të plotë, që kemi paraqitur, janë të gjitha provat e nevojshme e të domosdoshme, që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë, por që janë edhe provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të Presidentit”, deklaroi Balla.