RTSH 24 Live

Aktualitet

Nisin punimet në monumentin e kulturës “Ura e Zogut”, Gonxhja: Një ndërhyrjeje shpëtuese në restaurimin e strukturës

15/06/2024

Nisin punimet në monumentin e kulturës “Ura e Zogut”, Gonxhja: Një ndërhyrjeje shpëtuese në restaurimin e strukturës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se kanë nisur punimet përforcuese në Urën e Matit, e njohur si “Ura e Zogut”, monument kulture, për vlerat e saj arkitektonike të kohës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se, “krenari kombëtare që lidhi brigjet e Matit që prej 26 majit 1927, Ura e Matit është një prej veprave më të veçanta inxhinierike në Ballkan dhe njihet si një nga veprat e para inxhinierike, të këtyre përmasave, të shtetit shqiptar”.

Edhe pse një prej pjesëve u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ura mbetet një dëshmi e forcës krijuese dhe elegancës, shkruan ministri, duke thënë se, “sot, ky monument kulture, në listën e pasurive në rrezik nga “Europa Nostra”, i është nënshtruar falë financimit nga Qeveria shqiptare, një ndërhyrjeje shpëtuese, si fazë e parë përforcuese, dhe në vijim pason restaurimi thelbësor, ku ekspertët po verifikojnë thellësinë e zhytjes së themelit dhe ndërthurjen e strukturës mbajtëse të çeliktë me këmbën e urës, veçanërisht për shkak të ndërtimit në mjedis me ujë dhe për shkak të cedimit dhe animit të këmbës së urës”

Ky projekt pritet të kthejë për publikun, për qëllime panoramike e pelegrinazhi, një tjetër objekt trashëgimie, të aksesuesshëm e të kalueshëm nga vizitorët dhe të shfrytzueshëm për komunitetin e zonës.

Projektuar nga inxhinieri zviceran Erëin Schnitter dhe ndërtuar nga firma triestine “Mazorana & Co Triest”, nën drejtimin e inxhinierit Gjovalin Gjadri, ura e gjatë 480 metra u ndërtua me gjashtë harqe (kampata), secili nga 54 metra.

 

 

/rtsh.al/