RTSH 24 Live

Aktualitet

Nisin përgatitjet për ‘Sunny Hill’ në Tiranë, Veliaj: Eventi më i madh kulturor

15/08/2022

Nisin përgatitjet për ‘Sunny Hill’ në Tiranë, Veliaj: Eventi më i madh kulturor

Në  Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës kanë nisur përgatitjet për vendosjen e skenës ku do performojnë yjet e muzikës të ftuar nga Dua Lipa në 4 ditët e Sunny Hill Festival Tirana 2022.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të hapësirës ku do të zhvillohet festivali, u shpreh i bindur se ashtu siç u menaxhua ndeshja e finales së Konferencë Ligës, me të njëjtin sukses Tirana do të presë dhe festivalin e Dua Lipës.

Sipas Veliajt, Sunny Hill Festival është një nga eventet më të mëdha kulturore.

Po fillojmë përgatitjet për të pritur ndoshta aktivitetin më të madh kulturor në vitin që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Dua Lipa dhe gjithë grupi i “Sunny Hill Festival” do të transferohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të kemi një edicion të Tiranës në datat 26 - 29 gusht. I gjithë fundi i gushtit do të jetë plot me muzikë dhe ndërkohë tashmë ka dhe aktivitete të tjera”, informoi Veliaj. Ai shprehur besimin se Sunny Hill Festival është një nga eventet më të mëdha kulturore. Është një mënyrë se si sjell të rinjtë afër, jo vetëm të rinjtë e Kosovës e Shqipërisë apo shqiptarët e rinj kudo që janë, por edhe shumë të tjerë që do vijnë nga Italia, Greqia dhe i gjithë Ballkani. Mezi pres që ne të kemi një histori suksesi në Tiranë, edhe në menaxhimin e një eventi kaq të madh, ashtu siç patëm një histori suksesi me menaxhimin e ndeshjes UEFA Conference League,”tha Veliaj. 

Kreu i Bashkisë tha se zona në të cilën po punohet për skenën është pikërisht territori që u çlirua nga kioskat e ndërtimet pa leje në mes të parkut të gjelbëruar të Tiranës.

Për të gjithë ata që duan të orientohen, hapësira që do të përdoret është te pjesa e farit dhe fushave të kalçetos që është përballë pjesës së vjetër të liqenit. Bëhet fjalë për pjesën e re që u lirua nga ndërtimet pa leje nga administrata jonë dhe që është mbjellë, gjelbëruar. Gjithashtu kjo hapësira ka korsi biçikletash, vrapimi dhe ecjeje”, tha Veliaj.

Stafi organizator i “Sunny Hill Festival” ka konfirmuar emrat e parë që do të jenë në Tiranë: reperi i famshëm italian mjaft i pëlqyer edhe në Shqipëri, Fedez, këngëtarët e dashur për publikun shqiptar Dren Abazi dhe Elgit Doda, këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri, DJ Regard , Dj Merk & Kremont, DJ Drop G dhe Tananai.

/rtsh.al/