RTSH 24 Live

Kulturë

Nisin aplikimet për “Junior Fest Albania 2022”

26/07/2022

Nisin aplikimet për “Junior Fest Albania 2022”

“Junior Fest Albania” është festival kombëtar për fëmijët e moshave 9-14 vjeç, i cili zhvillohet ekskluzivisht nga RTSH si përfaqësues dhe anëtar i EBU-së, prej ku do të përzgjidhet kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian “Junior Eurovision Song Contest”, i cili këtë vit do të zhvillohet në Yerevan të Armenisë më datë 11 Dhjetor 2022.

Ky produksion, i organizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, do të vijë me një formulë krejt të re, në formën e një spektakli që do të zhvillohet në Tiranë në shtator të këtij viti.

SI TË APLIKONI?

- Dorëzimi i materialeve dhe dokumentacionit përkatës të këngëve do të kryhet pranë RTSH, në zyrën e informacionit ose në postën elektronike [email protected]

- Afati i pranimit: Deri më 5 Shtator 2022.

Kushtet e dorëzimit të materialeve:

- Versioni përfundimtar i këngës të kënduar në formatin Wave 16 bit, 44.1 khz.

- Versioni përfundimtar i bazës orkestrale me backvocals në formatin Wave 16 bit, 44.1 khz.

- Versioni përfundimtar i bazës orkestrale pa backvocals në formatin Wave 16 bit, 44.1 khz.

- Partitura vokale në nota e shoqëruar me tekstin dhe akordet përkatëse.

- Teksti i plotë në formatin Word.

- Çertifikatë lindjeje personale e këngëtarit.

Rregullorja:

♫ Materiali duhet të vijë i përfunduar në të gjithë komponentët.

♫ Bashkangjitur duhet të dorëzohet: teksti, të dhënat e këngëtarit dhe autorëve të këngës, foto e këngëtarit, çertifikatë lindjeje e këngëtarit (e 3 muajve të fundit). Interpretuesi duhet të jetë i brezit të të lindurve nga 9-14 vjeç.

♫ Kënga duhet të jetë krijuar pas pjesëmarrjes së fundit të Shqipërisë në “Junior Eurovision Song Contest”, të jetë krijim ekskluziv dhe i papublikuar më parë në asnjë aktivitet. Duhet të jetë krijim origjinal i pambështetur në krijime të tjera kompozicionale apo të tekstit.

♫ Artisti duhet të interpretojë live në rast kualifikimi. Kohëzgjatja e këngës nuk duhet të jetë më pak se 2 minuta e 30 sekonda dhe jo më shumë se 3 minuta. Përgjegjësia mbi krijimin dhe komponentët e këngës si, muzikë, tekst dhe orkestrim është e autorëve përkatës.

♫ Një kompozitor lejohet të marrë pjesë në konkurrim vetëm me një kompozim.

♫ Një autor teksti lejohet të marrë pjesë në konkurrim vetëm me dy tekste.

♫ Në qoftë se ka elementë ndihmës në performancën skenike të këngës, si p.sh.: grup i vogël koral, grup i vogël koreografik, rekuizitë, kostume të veçanta etj., që ndihmojnë dhe kanë rol kryesor në këngë, të bëhen përshkrime të qarta në formën e një sinopsi. 

♫ Pas aplikimit, të gjitha këngët do t’i nënshtrohen vlerësimit të një komisioni të përbërë nga profesionistë të fushës së muzikës, nga ku do të dalin këngët pjesëmarrëse të këtij festivali.

Mosplotësimi i një prej kushteve të mësipërme, mund ta skualifikojë këngën nga gara.

Ju mirëpresim!