RTSH 24 Live

Politikë

Nishani: Dyshja Rama - Basha, thika pas shpine PD dhe Shqipërisë

14/09/2021

Nishani: Dyshja Rama - Basha, thika pas shpine PD dhe Shqipërisë

Ish-presidenti shqiptar Bujar Nishani, i zgjedhur në këtë detyrë nga PD në vitet 2012- 2017, ka sulmuar ashpër kreun e PD Lulzim Basha. Ai e ka cilësuar vendimin e tij për përjashtimin nga grupi parlamentar të ish udhëheqësit kryesor të PD Sali Berisha, një “thikë pas shpine ndaj PD dhe Shqipërisë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Nishani akuzon atë që e quan dyshja Rama-Basha, për projektin antishqiptar për asgjesimin e PD. Sipas tij " kjo është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për ti shërbyer të nesërmes së Shqipërisë!”

POSTIMI I PLOTË I ISH PRESIDENTIT BUJAR NISHANI

Thikat pas shpine ndaj Partisë Demokratike janë në të vërtetë, thika në zemër për Shqipërinë !

Misioni që i është ngarkuar L. Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti PD e anti demokratik që prej atij të tentuar në 1997 !

PD është një prej institucioneve kryesore të shoqërisë shqiptare, është një mekanizëm i domosdoshëm që sistemi politik të funksionojë normalisht, është mundësia për të patur alternativën e një modeli tjetër qeverisës.

Të kapësh e të mbash peng, përmes metodave gangsterriste, pushtetin dhe proçesin vendimarrës mbi Partinë Demokratike, për ti shërbyer projektit antishqiptar të asgjesimit të alternativës qeverisëse, është po aq kriminale sa korrupsioni, kriminaliteti, shkatërrimi i institucioneve, varfërimi i shqiptarëve, prej qeverisjes.

Asgjesimi i PD është asgjesimi i opozitës sot, është asgjesimi i alternativës së qeverisjes ndryshe nesër, është minimi i demokracisë, është thikë në zemër për Shqipërinë !

Tezat e Edi Ramës se L. Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër, janë teza krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjesimit të PD.

L. Basha ka patur ultimatume të forta nga SHBA për të mos djegur mandatet e mos braktisur Parlamentin !

L. Basha ka marrë kërkesa të forta e të qarta nga SHBA për të mos bojkotuar zgjedhjet dhe pushtetin lokal !

L. Basha as i mori në konsideratë ato kërkesa e ultimatume të SHBA dhe i injoroi ato plotësisht.

Megjithëse ato ishin vendime e akte që minonin rëndë demokracinë në këtë vend, L. Basha i shpërfilli kërkesat amerikane në ato raste sepse i duhej të plotësonte interesat politike të Edi Ramës që ky të kapte e kontrollonte çdo qelizë e pushtet absolut të sistemit politik në Shqipëri!

Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjesimin e PD është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për ti shërbyer të nesërmes së Shqipërisë!