RTSH 24 Live

Ekonomi

Nis zyrtarisht Bursa Shqiptare e Energjisë

30/11/2022

Nis zyrtarisht Bursa Shqiptare e Energjisë

Sikundër ishte lajmëruar ka nisur zyrtarisht Bursa Shqiptare e Energjisë, ALPEX, me zyrat e saj në Shqipëri dhe Kosovë. Muaji Nëntor 2022 shënoi kështu çeljen zyrtare të periudhës së trajnimit nëpërmjet platformës së tregtimit të ALPEX, me qëllim garantimin e një fillimi të sigurtë për Bursën Shqiptare të Energjisë.

Sipas zyrës përkatëse në Tiranë, ky trajnim do t’i mundësojë ALPEX-it, në rolin e operatorit të tregut si dhe pjesëtarëve të tjerë potencialë të tregut, të marrin pjesë në një ambient tregtimi, për të përfituar njohuritë e duhura, që lidhen me mënyrën e ofertimit të energjisë elektrike në tregun e organizuar si dhe rezultatet e këtij procesi, në një mjedis real.

Një ditë më vonë nga çelja zyrtare e kësaj burse, në kuadër të miratimit të Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike, që i shërbejnë operimit të Bursës së energjisë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë, Enti Rregullator i Energjisë në Tiranë mirëpriti përfaqësues të Rregullatorit të Kosovës (ZRRE), me të cilët u zhvillua një seancë publike, e përbashkët, me palët e interesit të të dy vendeve. Në këtë bashkëbisedim mernin pjesë agjencitë kryesore të energjisë të të dy vendeve, kompanitë publike, në të dy anët e kufirit, por edhe aktorë të tjerë në tregun e energjisë si KURUM, KESKO, etj.

Në takim u theksua rëndësia e këtyre rregullave në vijim të bashkëpunimit dypalësh, duke qënë një hap i rëndësishëm për krijimin dhe bashkimin e tregut të energjisë elektrike.

Ky proces daton nga qershori i viti 2018 ku operatorët e sistemeve të transmetimit OST, KOSTT dhe ERE dhe ZRRE nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për bashkimin e tregut të një dite në avancë dhe asaj të së njëjtës ditë, bashkëpunim ky që do të vazhdojë dhe pas miratimit e rregullave dhe nisjes së operimit të ALPEX.

Në takim u komunikuan rregullat e tregut të energjisë elektrike të ALPEX përkufizimet, procedura e tregtimit si dhe procedura e klerimit dhe shlyerjes, të propozuara nga ALPEX dhe OST sh.a. Këto rregulla do të mundësojnë më tej operimin e Bursës.

Palët e interesuara kërkuan më shumë informacion nga njëri tjetri, ndërsa ky takim do të pasohet dhe nga dëgjesa dhe takime të tjera teknike, deri në miratimin e rregullave të sipërpërmendura nga rregullatorët përkatës sërisht në një mbledhje të përbashkët mes rregullatorëve.

Bursa e Shqiptare e Energjisë ende nuk është efektive për të blerë dhe shitur në tregjet e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa pritet që në këtë bursë të rregjistrohen kompanitë që tregtojnë energji elektrike, vendase dhe të huaja.

 

/ rtsh.al /