RTSH 24 Live

Sociale

Nis sot regjistrimi i fëmijëve në çerdhe e kopshte

07/06/2021

Nis sot regjistrimi i fëmijëve në çerdhe e kopshte

Duke filluar nga sot e deri në datën 11 qershor në çdo çerdhe publike të Bashkisë Tiranë, do të kryhet procedura e aplikimit për regjistrimin e fëmijëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve bëri sot me dije se fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2020-2021 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 Shtator 2021, do të regjistrohen automatikisht në kopsht.

Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve informoi se “për fëmijët që kanë statusin e jetimit nevojitet libreza e këtij statusi, certifikatë personale dhe familjare”.

“Për fëmijët me aftësi të kufizuara apo sëmundje të rënda kërkohet raporti mjeko-ligjor si dhe certifikatat personale dhe familjare. Të njëjtat dokumente janë të nevojshme edhe në rastet kur kujdestari ligjor i fëmijës është më aftësi të kufizuara mendore apo fizike. Për fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike përpos certifikatave duhet edhe vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërsa për kategoritë e tjera, bëhet e ditur se kërkohet vërtetim me pagë mujore të pasqyruar të prindërve si dhe vërtetim për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, dokument ky që sigurohet në portalin e-Albania.

Dokumentacioni i dorëzuar do të shqyrtohet përgjatë një jave nga stafi drejtues i çerdheve, ndërkohë që prioritet do të kenë fëmijët që i kanë të dy prindërit në marrëdhënie pune si dhe ata që vijnë nga familje me probleme ekonomike apo sociale.