RTSH 24 Live

Politikë

Nis Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë

10/06/2021

Nis Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë

Ka nisur  Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Kryeministri Edi Rama në hapje të Samitit u shpreh se pjesëmarrja e liderëve të Ballkanit në këtë samit është shenjë e qartë e zbatimit të planit të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal. Zoti Rama theksoi se ky samit është një instrument kyç që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë për të shkuar drejt rritjes së qëndrueshme. "Nisim seancën e punës. Faleminderit që pranuat ftesën në një kohë kaq të shkurtër dhe jam vërtet i lumtur t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Pjesëmarrja juaj në këtë Samit është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit të BE-së, planit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe tregut të përbashkët rajonal.Jam shumë mirënjohës komisionerit të BE që e nisi dhe e promovoi këtë plan të madh si një instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë  post-pandemike dhe të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme e të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbër dhe digjital të ekonomive,” u shpreh kryeministri Rama.

Samiti i Ballkanit Perëndimor mbledh në kryeqytetin shqiptar drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Samiti drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë bisedave drejtuesit e 6 shteteve të Ballkanit perëndimor do të diskutojnë për projektet në rajon të përfituara në kuadër të Procesit të Berlinit.Kujtojmë se vitin e kaluar, takimi i 6 liderëve te Ballkanit Perëndimor u zhvillua online por u njoh si Samiti i Sofjes dhe u zhvillua më 10 nëntor. Në samitin e mbajtur në Sofje shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, ranë dakord që të fuqizojnë marrëdhëniet mes tyre.