RTSH 24 Live

Kulturë

Nis puna për restaurimin e kishës së Shën Ilias, objekt kulti 400 vjeçar

12/11/2020

Nis puna për restaurimin e kishës së Shën Ilias, objekt kulti 400 vjeçar

Në fshatin Stegopull, Gjirokastër ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias.

Kisha e Shën Ilias është rreth 400 vjeçare e ndërtuar në shek. XVII dhe konsiderohet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

Lajmin për fillimin e punimeve në këtë objekt kulti e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ku thekson se punimet restauruese në këtë kishë erdhën si pasojë e kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të zonës.

“Pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të zonës, ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias, në fshatin Stegopull, Gjirokastër. Një monument i shek. XVII, i cili i ka rezistuar kohërave e zografisur nga dora e Kostandinit”, shprehet Margariti.
 
Puna restauruese në këtë objekt bën të ditur ministrja konsiston në stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe në ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit.
 
“Projekti i hartuar nga specialistët e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore
dhe financuar nga buxheti i shtetit, parashikon rishikimin e gjendjes dhe strukturës së çatisë së hajatit në anën perëndimore, pastrimin e territorit përreth, stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit”, bën të ditur Margariti.
 
Ky projekt i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do financohet nga fondet e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 8 milionë lekësh të reja.
 
Kisha e manastirit të Shën Ilias është e vetmja e mbijetuar mes 13 kishave të fshatit Stegopull në Gjirokastër. Kisha e një stili të rrallë arkitekturor mendohet se është një ndër më të vjetrat në rajon, sipas dokumenteve kishtare ajo daton nga shek. VI pas Krishtit, ndërsa ka njohur disa faza rindërtuese përgjatë shekujve. (ATSH)