RTSH 24 Live

Aktualitet

Nis ndërtimi i kampusit të Kolegjit të Europës, Rama e Mogherini inspektojnë punimet

29/11/2024

Nis ndërtimi i kampusit të Kolegjit të Europës, Rama e Mogherini inspektojnë punimet

Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Rektorja e Kolegjit të Europës në Tiranë, Federica Mogherini kanë inspektuar punimet e Kampusit të Kolegjit të Europës në “Qytet Studenti”.

Kampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë është cilësuar edhe si një simbol i fuqishëm i Shqipërisë si “Europa e Ballkanit”.

“Sot është dita e parë e fillimit të punimeve. Praktikisht projekti është shumë interesant jo vetëm nga pikëpamja e arkitekturës, por dhe nga pikëpamja funksionale dhe nga shërbimet që do të ofrojë. Përbëhet nga 4 godina, godina e librarisë dhe disa shërbime për të rinjtë dhe studentët. Godina e dytë është ajo e klasave dhe ambienteve mësimore. Godina e tretë është ajo për zyrat dhe shërbimet e tjera ndihmëse në funksion të kolegjit dhe godina qendrore është ajo e një salle të madhe, e një aure të madhe për studentët, por dhe për takime të ndryshme”, u shpreh drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Kampusi do të integrohet në Qytetin Studenti dhe do të shërbejë si një hapësirë e re, me një arkitekturë moderne dhe mjedise optimale jo vetëm për studentët nga gjithë Europa që do të jetojnë dhe mësojnë aty, por edhe për komunitetin e madh studentor që do të ketë një stacion të ri aktivitetesh akademike, kulturore e sociale.

“Kjo hapësirë do t’i shërbejë së pari kampusit të  Kolegjit të Europës, por nga ana tjetër dhe studentëve të Qytetit Studenti sepse do të kenë akses tek shërbimet ndaj studentëve si biblioteka, një muze që do të ndërtohet dhe ambientet sportive të cilat janë pjesë e këitj kampusi. Do të kemi mundësi të bashkëveprojmë më shumë me universitetin e Tiranës. Duke qenë se dhe një pjesë e ambienteve këtu do të jenë në shërbim të studentëve të këtij universiteti por dhe të studentëve që janë pjesë e rezidencës”, tha Manastirliu.

/rtsh.al/