RTSH 24 Live

Politikë

Ngrihet Drejtoria Antikorrupsion, Manja: Do "pastrojë" administratën, në vijim do japim raste konkrete

20/10/2021

Ngrihet Drejtoria Antikorrupsion, Manja: Do "pastrojë" administratën, në vijim do japim raste konkrete

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja njoftoi se është vendosur ngritja e Drejtorisë Antikorrupsionit, që do të luftojë korrupsionin në administratën publike. “Vendimi i sotëm është një nga hapat më rëndësishëm rregullatorë dhe institucionalë që ka ndërmarrë qeveria deri më sot në luftën pa kompromis kundër korrupsionit në administratën publike. Si koordinator kombëtar i antikorrupsionit, vendimin e sotëm e konsideroj një mbështetje të plotë të qeverisë dhe një shprehje e vullnetit politik të kësaj qeverie për të luftuar korrupsionin në administratën publike, për të pasur një administratë publike eficiente, me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve. Kjo dhe si shprehje e vullnetit të qeverisë  dhe e këtij programi në këto katër vite që vijnë, për të pasur një Shqipëri të së drejtës dhe një Shqipëri të fortë”, tha ai.

Në vijim, ministri i Drejtësisë, Manja theksoi se “me vendimin e sot ridimensionohet një funksion i ri në Ministrinë e Drejtësisë që do të jetë krijimi i një Drejtorie të Përgjithshme Antikorrupsion”.“Të gjitha agjencitë antikorrupsion që kanë funksionuar deri më sot pranë zyrës së Kryeministrit do përqendrohen në Drejtorinë e Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Ka qenë një rrjet koordinatorësh kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë që shtrihej në 17 institucione shtetërore, por me implementimin e këtij vendimi ky rrjet koordinatorësh do shtrihet në 47 institucione shtetërore ku ofrohen shërbime publike për qytetarët. Në këto 47 institucione shtetërore do të kemi një rrjet me mbi 70 profesionistë të fushës që do të merren me trajtimin e të gjitha rasteve korruptive në administratë publike dhe që do të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë punën edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe këtu kam në konsideratë Prokurorinë, por edhe SPAK”, u shpreh Manja.

Manja tha se kjo drejtori kundër korrupsionit që ngrihet pas këtij vendimi do të shtrihet në tre drejtime kryesore.“Do ushtrojë veprimtari parandaluese, ndëshkuese, pra do trajtojë të gjitha praktikat korruptive, dhe e treta veprimtari ndërgjegjësuese. Kjo, Drejtori Antikorrupsioni do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha ministritë e tjera të linjës po ashtu me të gjitha agjencitë e tjera ku do shtrihet rrjeti antikorrupsion. Sigurisht ka dhe mbështetjen e partnerëve tanë që me të cilën kemi programe si qeveri kundër korrupsionit, por pa diskutim bashkëpunimi kapilar dhe thelbësor i kësaj Drejtori Atikorrupsion do jetë me agjencitë ligjzbatuese, Prokurorinë, SPAK, me Drejtorinë e Parandalimit të Parave, me KLSH, sepse fenomeni i korrupsioni në radhë të parë frenon ekonominë shqiptare  por dhe si nevojë për t’iu pëgjigjur të gjitha halleve dhe problematika të qytetarëve që kanë me administratën publike”, tha Manja.
“Thelbi do të jetë luftë korrupsioni në administratë publike, një administratë e pastër publike, eficiente me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve. Ky është dhe vizioni i qeverisë Rama 3 për këto katër vite qeverisje”, tha Manja