RTSH 24 Live

Kronika

Ngjarje e rëndë në Shkodër/ Hodhi në lumin Kir foshnjën e saj, arrestohet 32-vjeçarja! Gjendet trupi i pajetë i fëmijës

07/01/2023

Ngjarje e rëndë në Shkodër/ Hodhi në lumin Kir foshnjën e saj, arrestohet 32-vjeçarja! Gjendet trupi i pajetë i fëmijës

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shkodër, ku trupi i një foshnje është gjetur i pajetë në lumin Kir, teksa dyshohet se autore është nëna e tij. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se trupi i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të shtune, në vendin e quajtur Postribë, ndërsa kontrollet kishin nisur që prej mbrëmjes së djeshme, pasi uniformat blu kishin marrë informacion mbi një shtetase që dyshohet se kishte braktisur fëmijën e saj.

Bëhet me dije se fëmija ka lindur më datë 30 dhjetor, ndërsa dyshohet se nëna e tij, një 32-vjeçare e ka hedhur atë në lumë gjatë natës. 32-vjeçarja u arrestua e akuzuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, ndërsa momentalisht nuk bëhen me dije të tjera detaje për ngjarjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme

Njoftimi i plotë i Policisë:

"Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bazuar në inteligjencën informative, se mbrëmjen e djeshme, një shtetase dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të seksit mashkull, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, dhe mund ta hidhte në lumin Kir, kanë organizuar punën për verifikimin e këtij informacioni të marrë.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në  lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës së 32-vjeçares e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçe, banuese në fshatin Myselim.  Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/