RTSH 24 Live

Ekonomi

Nga prilli, paga minimale 40 mijë lekë, nisin takimet me sipërmarrjet private

16/03/2023

Nga prilli, paga minimale 40 mijë lekë, nisin takimet me sipërmarrjet private

Qeveria ka nisur takimet me sipërmarrjen private për rritjen e pagës minimale që do të hyjë në fuqi në muajin prill 2023. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se diskutimet janë fokusuar mbi domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave, ndërsa po përgatitet dhe skema finale e pagave që nga prilli do jetë 40 mijë lekë.

“Nisim takimet me sipërmarrjen për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat, ku tanimë nga prilli minimumi i detyrueshëm është 40 mijë lek. Ndërkohë që qeveria po bën gati korrektimin e krejt skemës së pagave pas rritjes së ndjeshme të pagës minimale, si reagim ndaj vështirësive të paparashikuara të krijuara kudo prej agresionit të Putinit dhe inflacionit të luftës”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama ka barë edhe një krahasim të pagave minimale në rajonin e Ballkanit, ku Shqipëria rendite e treta, pas Malit të Zi me 532 euro dhe Serbisë me 460 euro.

Pas Shqipërisë vjen Maqedonia e Veriut me 327 euro, Bosnja-Hercegovina me 304 euro dhe në fund Kosova me 264 euro.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

Nga 1 prilli 2023, në Shqipëri do të rritet niveli i pagës minimale, ku nga 34 mijë lekë që është aktualisht, paga minimale do të arrijë në 40 mijë lekë, për të lehtësuar pasojat e inflacionit e rritur për shkak të luftës që Rusia nisi në Ukrainë.

/rtsh.al/