RTSH 24 Live

Aktualitet

Nga nesër, karantinë 10-ditore për personat e pavaksinuar që udhëtojnë drejt Austrisë

14/09/2021

Nga nesër, karantinë 10-ditore për personat e pavaksinuar që udhëtojnë drejt Austrisë

Nga data 15 shtator, vetëm personat plotësisht të vaksinuar, ose me një dëshmi mjekësore që e kanë kaluar COVID-19 dhe janë të shëruar, të moshës 12 vjeç e lart do të lejohen të udhëtojnë nga Shqipëria për në Austri pa pasur nevojë të karantinohen.

Ambasada e Shqipërisë në Vjenë informoi sot se “nga 15 shtator 2021, udhëtarët e pavaksinuar mund të hyjnë në Austri, por duhet të regjistrohen paraprakisht në (Pre Travel Clearance English)https://entry.ptc.gv.at/en.html , të paraqesin një test negativ të COVID-19 dhe të qëndrojnë në karantinim të detyruar për 10 ditë në një hotel ose vendbanim, me shpenzimet e tyre. Karantina mund të përfundojë pas 5 ditësh me një test negativ”.

“Përjashtohen nga kërkesat për regjistrim dhe karantinë ata që udhëtojnë për qëllime biznesi; forcat humanitare; të miturit midis moshës 12 dhe 18 vjeç që hyjnë në Austri nën mbikëqyrjen e personave plotësisht të imunizuar; ata që hyjnë në vend për arsye të paparashikueshme, urgjente, familjare si (sëmundje të rënda, vdekje në familje, funerale, lindje), të cilat do të vlerësohen dhe merren parasysh si të tilla nga autoritetet përkatëse”, theksohet në njoftimin e ambasadës së Shqipërisë në Vjenë.

Për informacione më të përditësuara dhe detajuara të hyrjes në Austri, qytetarët mund të vizitojnë portalin zyrtar të Udhëtimit të qeverisë austriake në Austria.info.