RTSH 24 Live

Ekonomi

Nga muaji korrik do të ulet me 40 lekë çmimi i karburantit për flotën e peshkimit

24/06/2022

Nga muaji korrik do të ulet me 40 lekë çmimi i karburantit për flotën e peshkimit

Në muajin korrik pritet të nis mbështetja për sektorin e peshkimit, sa i përket çmimit të naftës. Këtij sektori, i cili ka qenë në vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, do t’i zbriten 40 lekë për litër nga çmimi i tregut.

Si shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe peshkimi është goditur nga rritja e çmimit të naftës. Flota e peshkimit në Durrës kishte paralajmëruar një grevë pa afat, për shkak të rritjes së çmimeve, si pasojë e të cilave, një pjesë e peshkatarëve janë detyruar ta ndërpresin gjuetinë. Klodian Kapti, kreu i sindikatës së peshkimit, shprehet se, aktualisht, anijet e peshkimit po furnizohen me naftë, sipas çmimit ndërkombëtarë të bursës, por me këtë nivel çmimi, flota e peshkimit është e falimentuar.

Diskutime ka patur mes ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë e Zhvillimit Rural, së bashku me përfaqsues të sindikatës dhe të organizatës së peshkimit. Autoritetet kanë vendosur se çmimit të naftës që do të reflektohet në bursë, do t’i zbritet 40 lekë për litër për peshkimin.

Qyteti i Durrësit ka flotën më të madhe të peshkimit në vend duke numëruar afro 200 anije në total. Kjo flotë është furnizuesi kryesor për shumë restorante që gjenden në bregdetin e Durrësit dhe të Kavajës, kërkesë e cila rritet ndjeshëm në sezonin turistik.

/rtsh.al/