RTSH 24 Live

Kosova

Nexhmije Pagarusha përkujtohet në 88-vjetorin e lindjes

07/05/2021

Nexhmije Pagarusha përkujtohet në 88-vjetorin e lindjes

Para 88 vjetësh u lind Nexhmije Pagarusha, e njohur si ikona e muzikës shqiptare. Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera. Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës. Nexhmie Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa skena të filmave “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.

Nga viti 1984 vendos të përmbyllë karrierën si këngëtare. Më 2012, u dekorua me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë. Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë më 7 shkurt 2020 në moshën 86-vjeçare. /KosovaPress/