RTSH 24 Live

Botë

Netanyahu ka kohë deri në mesnatë për ta formuar koalicionin

04/05/2021

Netanyahu ka kohë deri në mesnatë për ta formuar koalicionin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka afat deri të martën në mesnatë për të formuar një koalicion të ri qeveritar ose mund të përballet me mundësinë për të mbetur në opozitë për herë të parë në 12 vitet e fundit.

Netanyahu ka pasur vështirësi për ta siguruar shumicën parlamentare që nga 23 marsi, kur zgjedhjet nuk ofruan zgjidhje për herë të katërt në dy vitet e fundit. Pavarësisht takimeve të vazhdueshme me shumë rivalë dhe kontakteve të pashembullta me një parti islamike, Netanyahu nuk ka arritur që të bëjë marrëveshje gjatë këtyre katër javëve.

Afati për formimin e koalicionit do të kalojë në mesnatë, kur çështja i kthehet presidentit Reuven Rivlin në mungesë të një marrëveshjeje.

Megjithatë, dështimi për ta arritur marrëveshjen për koalicion nuk do ta largonte menjëherë nga pushteti Netanyahun. Presidenti Rivlin do t’i jepte dy javë shtesë për formimin e koalicionit. Presidenti mund t’i japë mundësi edhe një rivali të Netanyahut për ta formuar qeverinë ose ta çojë çështjen në kuvend.

Kjo do t’ua jepte deputetëve mundësinë që ta zgjedhim për kryeministër ndonjërin nga kandidatët që ata e propozojnë. Nëse edhe ky skenar dështon, Izraeli do të detyrohej që të mbajë zgjedhje në vjeshtë, duke mbetur edhe për disa muaj në krizë politike./AP