RTSH 24 Live

Politikë

Nënshkruhet marrëveshja me kompaninë spanjolle të gazit, Rama: Inaugurojmë nesër parkun e parë diellor

30/06/2022

Nënshkruhet marrëveshja me kompaninë spanjolle të gazit, Rama: Inaugurojmë nesër parkun e parë diellor

Është nënshkruar në Madrid Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Albgaz dhe kompanisë prestigjioze spanjolle ENAGAS, për t'i hapur rrugë bashkëpunimit mbi një sërë projektesh të Qeverisë Shqiptare në sektorin e gazit. I pranishëm në Madrid gjatë nënshkrimit të këtij Memorandumi, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria është gati të thellojë bashkëpunimin me Spanjën, ndërsa shtoi se vendi ynë është në rrugën e transformimit në një pikë të rëndësishme hyrje e shpërndarjeje të gazit për gjithë rajonin.

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Albgaz dhe kompanisë prestigjioze spanjolle ENAGAS, për t'i hapur rrugë bashkëpunimit mbi një sërë projektesh të Qeverisë Shqiptare në sektorin e gazit. Po tërheqim çdo ditë e më shumë interesimin e kompanive më të njohura në Europë e SHBA në rrugën e transformimit të Shqipërisë në një pikë të rëndësishme hyrje e shpërndarjeje të gazit për gjithë rajonin. Unë jam përpjekur fort që të arri sa më shumë të jetë e mundur të ecim më përpara në bashkëpunimin me Spanjën. Jemi shumë të gatshëm të forcojmë marrëdhëniet dhe të thellojmë bashkëpunimin me Spanjën. Është shumë e mirë për ne dhe besoj se do jetë shumë e mirë edhe për ENAGAS”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe energjia e ripërtërishme, teksa bëri me dije se nesër do të inaugurohet nisja e parkut të parë diellor, që do të  jetë më i madhi në Rajon.

Keni kryesuar përpjekjet e qeverisë për tranzicionin ekologjik. Është kënaqësi të them që jemi me energji 100% të ripërtëritshme në Shqipëri. Vjen me dhimbje koke sepse 100% me energji të ripërtëritshme por nuk jemi të diversifikuar deri tani në burimet tona të ripërtëritshme. Varemi nga ai lart, humori i tij, nëse nuk do të qajë është vërtet e vështirë, por tashmë po investojmë në energjinë diellore. Nesër do inaugurojmë nisjen e parkut të parë diellor në Rajon”, u shpreh kryeministri.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se ENAGAS do të vijë në Shqipëri në shtator.

"Sot kemi firmosur një memorandum bashkëpunimi që i hap rrugën një të ardhme midis dy vendeve tona. Shqipëria është angazhuar të marrë pjesë dhe në investimet e gazit të lëngshëm. Duhet theksuar se tashmë energjia nuk është më një çështje komerciale, bëhet fjalë për sigurinë. Energjia është kthyer në armën më të fortë të sigurisë. Puna intensive është lënë të nisë në fillim të shtatorit ku ENAGAS do të vijë në Shqipëri", tha Balluku.

/rtsh.al/