RTSH 24 Live

Politikë

Negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e V., ministrat e BE: Shpresojmë të kemi zhbllokim

22/06/2021

Negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e V., ministrat e BE: Shpresojmë të kemi zhbllokim

Në Luksemburg mblidhet sot Këshilli i Çështjeve të Përgjitshme të Bashkimit Europian. Pritet që të vendoset për datën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga mbledhja Bullgaria duket se po mban peng Maqedoninë e Veriut, pasi ende nuk ka sinjal për të hequr veton për integrimin evropian, duke penguar kështu edhe Shqipërinë, pasi vendimi deri tani mendohet se do të jetë për të dyja vendet. Në fillimit të mbledhjes kanë folur për mediat disa nga protagonistët. Ministri i jashtëm slloven Gasper Dovzan, u shpreh se gjatë presidencës sllovene të BE-së, e cila fillon në 1 Korrik, zgjerimi mbetet një faktor kyç. Ndërkohë që  ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka thënë se takimi i ministrave të jashtëm dhe për Çështje Evropiane ditën e sotme në Luksemburg është një mundësi e mirë për t’i trajtuar çështjet ballë për ballë, pas takimeve të shumta virtuale në nivele ministrore. Ai shprehet se vendimet e nevojshme, si përcaktimi i datës për Konferencën e Parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë nën hijen e konflikteve dypalëshe.  

Deri më tani Komisioni Evropian vijon që të apelojë Këshillin që ta përcaktojë sa më shpejt të jetë e mundur këtë datë. Tashmë ka mbetur vetëm një pengesë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare që është qëndrimi i Bullgarisë. Për arsye të përplasjeve me Maqedoninë e Veriut, qeveria bullgare bllokon kështu automatikisht edhe Shqipërinë, pasi pritet që përcaktimi i datës të bëhet për të dyja shtetet njëherazi. 

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për një nga televizionet më të mëdha në Francë, “France 24” edhe pse mendon se Shqipëria duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli, shtoi se asgjë nuk e surprizon nga vendimi i liderëve të Bashkimit Evropian.

"Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit", tha Rama disa ditë më parë. 

Mediat në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se Bullgaria nuk ka lejuar Këshillin për Punë të Përgjithshme, për të caktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Agjencia e lajmeve MIA, duke u mbështetur në burime diplomatike anonime njofton se debati për zgjerimin në takimin e ministrave në Luksemburg ka qenë intensiv në këtë temë. Sofjes i është thënë se kritikat në adresë të saj për këtë bllokim janë të shumta.

Përfaqësuesi bullgar në takim, sipas MIA-s, ka thënë se “BE nuk e kupton sa i thellë është problem midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”. Sidoqoftë diplomatët evropianë ankohen se Bullgaria nuk mund të japë ndonjë garanci se do të zhbllokojë veton me një qeveri politike.

Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, janë deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Gjermania mendon se BE-ja duhet patjetër të bëjë diçka në këtë drejtim.

Në takimit e Këshillit për punë të përgjithshme diskutohet edhe sundimi i së drejtës në vendet anëtare. Më vonë gjatë ditës përgatiten edhe dy konferenca ndërqeveritare, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, sipas metodologjisë së re të anëtarësimit. Ministrat përgatisin Samitin e shefave të vendeve anëtare që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor.