RTSH 24 Live

Politikë

Negociatat BE-Shqipëri në Bruksel, KPK: Thelbësor vijimi i reformës në drejtësi

24/11/2022

Negociatat BE-Shqipëri në Bruksel, KPK: Thelbësor vijimi i reformës në drejtësi

Në Bruksel është zhvilluar takimi Bilateral Shqipëri – BE për kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, ku ka qenë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që ka bërë një raportim mbi punën e vettingut e bërë deri më tani në sistemin gjyqësor.

KPK-ja u përfaqësua nga Kryetarja, znj. Pamela Qirko, në delegacionin e drejtuar nga Kryenegociatorja znj. Majlinda Dhuka, si dhe nga Zv/Ministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni, në rolin e negociatores për kapitullin.

Gjatë raportimit me shifra për prokurorët e shkarkuar nga vettingu dhe ata që janë bërë pjesë e drejtësisë së re, KPK tha se po punohet që procesi i rivlerësimit të mbyllet brenda afateve kushtetuese dhe se deri në fund të 2022 të përmbyllë 75% të listës së subjekteve të rivlerësimit.

Sipas përllogaritjeve, nga lista me 805 subjekte, Komisionit i mbetet për të rivlerësuar edhe 220 subjekte, të cilat KPK-ja është angazhuar t’i përmbyllë deri në shtator të vitit 2024, për t’i dhënë mundësi Institucionit të Komisionerëve Publikë të ushtrojë të drejtën e ankimit brenda mandatit kushtetues.

Gjatë takimi Bilateral u vlerësua si thelbësor vijimi i reformës në sistemin e drejtësisë.

“Nga fillimi i Vettingut deri më 23 nëntor 2022, KPK-ja ka dhënë 585 vendime për subjektet e rivlerësimit, nga të cilat: · 233 vendime për konfirmimin në detyrë të 117 gjyqtarëve, 104 prokurorëve, 2 ish- inspektorëve në KLD, 1 inspektori në KLGJ dhe 9 ndihmësve/këshilltarëve ligjorë; · 214 vendime për shkarkimin nga detyra të 127 gjyqtarëve, 83 prokurorëve, 1 inspektori në ILD, 1 inspektori në KLGJ dhe 2 ndihmësve ligjorë; · 88 vendime për ndërprerje të procesit të rivlerësimit për 55 gjyqtarë, 21 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD dhe 9 ndihmës ligjorë + 1 ish-prokuror (neni G i Aneksit të Kushtetutës); · 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016); · 38 vendime për përfundimin e procesit për 23 gjyqtarë, 13 prokurorë dhe 1 (ish- Kryeinspektori të KLD-së dhe 1 ish-inspektori të ILD-së (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016); · 4 vendime për pezullimin nga detyra të 3 prokurorëve dhe 1 ndihmëseje ligjore”, thuhet në njoftimin e KPK.

/rtsh.al/