RTSH 24 Live

Lifestyle

Nea Tandini: Unë fëmijë emigracioni me valixhen me ëndrra, në Paris u bëra historiane arti

30/03/2023

Nea Tandini: Unë fëmijë emigracioni me valixhen me ëndrra, në Paris u bëra historiane arti

Nea Tandini ishte e ftuar paraditen e sotme në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu. Historiania e artit ndodhet në Tiranë ku ka mbajtur disa leksione dhe takime të hapura. Prej më shumë se dhjetë vjetësh jeton në Paris. Ka dy diploma master në Universitetin e Sorbonës për histori arti.

Tandini tregon se lidhja e saj me artin nuk vjen nga familja. “Nëna ime ka punuar në bankë ndërsa babai është inxhinier. Dua të besoj që mbase diçka më e fortë se vetë qenia ime është arsyeja për të cilën unë kam qenë thelbësisht e ndjeshme ndaj arteve.”

Ajo kujton herën e parë kur në moshën 11-vjeçare pa në televizion një pjesë opereje. “Ka qenë një sekuencë nga filmi “La vita e bella” e Roberto Benigni-t, në të cilën personazhi kryesor ndodhej në Opera ku dëgjohej pjesa “Barcarolle” nga opera “Përrallat e Hofmanit” të kompozitorit Offenbach. Që nga ai moment u dashurova pas operës, muzikës klasike, baletit klasik dhe historisë së artit. Dua të besoj që ishte e shkruar.”

“Jam fëmijë emigracioni.” – thotë Nea Tandini teksa tregon se u largua bashkë me familjen drejt Greqisë kur ishte 3-muajshe. Ka jetuar në Athinë deri në moshën 15-vjeçare përpara se të kthehej në Shqipëri ku ndoqi shkollën e mesme të gjuhëve të huaja për frëngjisht. Në moshën 20-vjeçare largohet për në Paris. “Ishte dëshira ime për të studiuar histori arti që më bëri të marr valixhen me ato pak rroba që kisha. Brenda kësaj valixheje mora iluzionet dhe shpresat. Shkova në Paris për të studiuar histori arti. Më shtyu dëshira për të kuptuar qenien njerëzore sepse historia e artit është, as më pak e as më shumë, histori njerëzore.”

Ajo tregon se vitet e para ishin të vështira. Sipas saj, Parisi është një qytet i mrekullueshëm, por po aq i bukur, është edhe i pamëshirshëm. “Është qytet i vrullshëm, je një qytetar mes mijëra të tjerëve. Jetesa kushton shumë. Ka pak diell, edhe nga ana humane. Njerëzit janë shumë të sjellshëm por edhe të ftohtë.”

Foto: Nea Tandini 

Menjëherë pas studimeve, puna e saj e parë ka qenë në një kabinet ekspertize. “Më intrigoi shumë si punë. Aty studiohen veprat e artit që do të shiten në ankand dhe bëhet një ekspertizë ku vendoset emri i autorit dhe data e veprës. Nga ana tjetër bëhet një ekspertizë se sa mund të shitet kjo vepër në bazë të autorit, vjetërsisë dhe modës. Të krijosh kartën e identitetit të një vepre është punë shumë e bukur.”

Më pas Tandini punoi në një shtëpi ankandesh. E pyetur se cila është vepra më e shtrenjtë që është shitur në kohën që ka punuar aty, Nea zbulon: “Ka qenë një vepër që ka bërë shumë bujë, një tablo e Caravaggio-s. Ende sot kritikët e artit janë të ndarë. Disa prej tyre janë dakord me autorsinë, e disa të tjerë mendojnë se nuk është mjeshtri i madh autori i veprës, por një ndjekës. Kjo vepër është shitur 24 milion euro.”

Pasi punoi në tregtinë e artit, ajo kuptoi që zemra e saj do të drejtohej kah mësimdhënia. “Kjo sepse tregtia e artit i jep më shumë vlerë tregtare artit dhe jo aq shumë intelektuale dhe shpirtërore. Fillova të jap mësim në Shqipëri, të jem e ftuar ne seminare të hapura në Universitetin e Arteve dhe në atë të Shkencave Sociale. Aktualisht prej disa muajve jap mësim historin e artit të Rilindjes në dy shkolla në Francë, IESA dhe ICART.”

Foto: Nea Tandini 

Tandini shprehet se historia e artit është shumë pak e zhvilluar në Shqipëri. “Nuk do thoja se ka pak interes, sepse çdo herë që kam bërë prezantime, seminare dhe leksione të hapura, më duhet të them se pjesëmarrja ka qenë maksimale. Besoj që arti nuk është prioritet në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që gjërat nuk do të ndryshojnë dhe nuk mund të ndryshojnë. Duhet të ketë politika dhe subvencionime më të rëndësishme e më të forta për aktivitete të tilla.”   

/rtsh.al/