RTSH 24 Live

Art

Në Tiranë projektohet sfilata futuristike Pierre Cardin 3022

29/01/2022

Në Tiranë projektohet sfilata futuristike Pierre Cardin 3022

Shtëpia e madhe e modës, Pierre Cardin ka përzgjedhur Tiranën, kryeqytetin europian te rinisë për vitin 2022 mes 5 qyteteve botërore, për të shpërfaqur si projeksion sfilatën futuristike Pierre Cardin 3022. 

Sfilata u shfaq në kinema Millenium në prani të një publiku sidomos të ri. Në të njëjtën kohë ajo u transmetua nga Parisi edhe në Moskë, Dallas, Pekin dhe Meksiko. 

Ashtu siç ishte futuristik, vizionar dhe revolucionar Pierre Cardin në modë, duke krijuar bazat e "prêt a porter", ashtu edhe sfilata e organizuar nga nipi i tij, Rodrigo Basilicati Cardin, që pas vdekjes së stilistit dy vite më parë, tashmë është në krye të shtepisë Cardin,  kërkoi të japë përfytyrimin se si mund të vishen njerëzit pas 1000 vitesh, në vitin 3022. 

Dhe vendi i përzgjedhur ishte Muzeu Kombëtar i Ajrit dhe Hapësirës, Le Bourget, ku prej raketave hapësinore niseshin e zbrisnin njerëz, djem e vajza gati kozmikë. 

Tirana u përzgjodh si një ndër 5 qytetetet sepse sipas studimeve të bëra nga shtëpia e modës, Pierre Cardin, Shqipëria është një treg potencial ekonomik i spikatur në rajonin e Ballkanit dhe ka një popullësi të re që përbën interesin e shtëpisë së modës.