RTSH 24 Live

Sociale

Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, shtohen sipërfaqet e gjelbëruara me fidanishte të reja

20/01/2021

Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, shtohen sipërfaqet e gjelbëruara me fidanishte të reja
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi

Tashmë është kthyer në traditë shtimi i sipërfaqeve të pyllëzuara me pemë të reja, në zonat e mbrojtura kombëtare të vendi tonë, që janë një pasuri me vlerë të çmuar jo vetëm për habitatin natyror, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte i pranishëm në Divjakë, ku bashkë me maturantët e Shkollës së Mesme të Bashkuar Cerm-Shkumbin, ndërmorën aksionin për mbjelljen e fidanëve të rinj në një sipërfaqe në zonën e plazhit pranë Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Në një prononcim për mediat, Klosi tha se “është bërë traditë tashmë që Agjencia e Zonave të Mbrojtura kudo në Shqipëri po sidomos Administratat e Zonave të Mbrojtura në zonat liganore së bashku me nxënësit e shkollave dhe konkretisht sot ne jemi me nxënësit e shkollave të mesme të Bashkisë Divjakë për mbjelljen e pemëve të reja në një numër të konsiderueshëm”.

“Këtu jemi në një park të ri, i cili po krijohet në vite nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura Divjakë dhe po krijojnë një sipërfaqe të re të pyllëzuar. Padyshim në sy të lirë duken si pemë të reja që kanë vetëm dy tre vjet që po realizohen, por në harkun kohor të 5-6 viteve kjo zonë do të jetë si zona e parë e pishave duke krijuar një mbrojtje shumë të mirë për të gjithë zonën e mëtejshme”,- tha Klosi.

Sipas tij, është në fakt një thirrje e vazhdueshme për të shtuar sipërfaqet e gjelbëra, për të shtuar sipërfaqet e pyllëzuara në vendin tonë, pasi dhe vet koha, vet ndryshimet klimatike sidomos periudha në të cilën jetojmë në kuadër të pandemisë na dëshmon se sa shumë punë duhet të bëjmë për mjedisin.

“Do të doja shumë të përgëzoja angazhimin maksimal që kanë të rinjtë e shkollave të mesme të bashkisë së Divjakës, të cilët gjithmonë I gjen në krahë të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe jo vetëm në procesin e mbjelljeve , por në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kësaj pasuritë madhe kombëtare”- u shpreh Klosi.