RTSH 24 Live

Rajoni

Në Maqedoninë e V. do të tërhiqen librat që fyejnë shqiptarët

18/02/2021

Në Maqedoninë e V. do të tërhiqen librat që fyejnë shqiptarët

Librat shkollorë që fyejnë shqiptarët e që kanë gabime të tjera përmbajtjesore dhe drejtshkrimore, do të tërhiqen nga procesi mësimor në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut, bëri të ditur zëvendëskryeministri Artan Grubi, pas një takimi që zhvilloi me ministren e Arsimit, Milla Carevska.

Vendimi pasoi reagimet në opinion lidhur me përmbajtjen e librit të gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme.

Aty mund të gjenden fyerje për prejardhjen e shqiptarëve.

“Shqiptarët kanë qenë maqedonas, por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptarë. Shqiptarët e Maqedonisë [së Veriut] e kanë prejardhjen nga çerkezët, romët dhe turqit”, thuhet në një njësi mësimore të këtij libri.

Aty, shqiptarët po ashtu paraqiten si “okupatorë të Maqedonisë Perëndimore”, ndërsa në një njësi tjetër, Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia e Veriut.

“Në takim jemi pajtuar që, në përputhje me Ligjin për librat shkollorë për arsim fillor dhe të mesëm, të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore, duke nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme”, thuhet në njoftimin me shkrim nga kabineti i zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Tërheqja e librave me përmbajtje fyese është paralajmëruar edhe nga kryeministri i këtij vendi, Zoran Zaev, por ai ka thënë se librat nuk do të mund të largohen nga përdorimi pa u miratuar dhe botuar tekstet e reja shkollore.

Maqedonia e Veriut ka nisur reforma të thella në arsim, si shkurtimin e lëndëve mësimore ose edhe të orëve, duke i dhënë më shumë rëndësi pjesës praktike.