RTSH 24 Live

Ekonomi

Ndryshimet në ligjin “Për prokurimin publik”/ Kashta: Synojnë rritjen e eficencës së përdorimit të fondeve publike

23/11/2020

Ndryshimet në ligjin “Për prokurimin publik”/ Kashta: Synojnë rritjen e eficencës së përdorimit të fondeve publike

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për prokurimin publik”.

Kryetarja e Autoritetit të Prokurimit Publik, Reida Kashta bëri të ditur se ndryshimet synojnë përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian si dhe rritjen e eficencës së përdorimit të fondeve publike.

“Qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e ndryshme të organizmave ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian, Banka Botërore, OECD/SIGMA, etj, duke lehtësuar procesin e prokurimit, si për autoritetet kontraktore, ashtu edhe për operatorët ekonomikë”, tha Kashta.

Sipas saj, objektivat konkretë që synohen të arrihen me miratimin e këtij projektligji, janë përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis e BE-së, duke transpozuar ose adaptuar direktivat specifikë, të cilët mbulojnë procedurat e prokurimit në sektorin klasik, sektoral dhe direktivat e rishikimit administrative.

Po ashtu, theksoi ajo, përmirësohet ndjeshëm kuadri aktual rregullator në fushën e prokurimit public, lehtësohet pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, si dhe shmanget zvarritja e procesit të prokurimit, për shkak të tejzgjatjes së procesit të ankimit administrativ

Sipas Kashtës, ndryshimet synojnë një prokurim të qëndrueshëm, në respektim të parimeve për mbrojtjen sociale dhe mjedisore, lehtësim në prokurimin e shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera specifike, si dhe rritje e performancës në implementimin e kontratave, nëpërmjet forcimit të monitorimit të këtij procesi.

Ndërkohë që, lidhur me detyrimet ndërkombëtare, Kashta tha se përcaktohet përjashtim nga zbatimi i ligjit kur procedurat përcaktohen në marrëveshje ndërkombëtare/organizatë ndërkombëtare ose kur kontratat financohen plotësisht nga një organizatë ndërkombëtare apo institucion financiar ndërkombëtar.

Për herë të parë në projektligj parashikohet se, në rast bashkëfinancimi, vendosin palët mbi rregullat e aplikueshme. Gjithashtu, vjen si parashikim i ri edhe koncepti i kontratave ndërmjet subjekteve brenda sektorit publik, ku një autoritet kontraktor mund t’i jape kontratë, pa iu nënshtruar dispozitave të këtij ligji, një personi juridik, mbi të cilin ka rol kontrollues. Kjo formë kontraktimi (e njohur si “in house procurement”) i jep të drejtën autoriteteve kontraktore të sigurojnë furnizime, shërbime apo punë publike, duke shfrytëzuar kapacitetet e subjekteve juridike të varësisë së tyre.

Projektligji parashikon regjimin juridik të zbatueshëm në situata specifike, ku veçanërisht për herë të parë, specifikohet që për kontrata pune dhe kontrata shërbimi të lidhura me kontrata për punë publike, të subvencionuara nga autoritetet kontraktore, në më shumë se 50% të vlerës, është i detyrueshëm zbatimi i procedurave të prokurimit të parashikuara në ligj. Ndërkohë, nëse autoritetet subvencionojnë më pak se 50% të vlerës, detyrohen të mbajnë në konsideratë parimet e përzgjedhjes që përcakton ligji, pavarësisht se nuk detyrohen të zbatojnë procedurat e prokurimit, të parashikuara nga ky ligj.

Ligji për prokurimin publik është një ndër instrumentet kryesore strategjike që ndihmon qeverinë të arrijë objektivat ekonomikë, socialë dhe të mjedisit nëpërmjet një sistemi të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent të mirëpërdorimit të fondeve publike dhe shpenzimeve të qeverisë.

 

Burim: ATSH