RTSH 24 Live

Sociale

Ndikimi i klimës në bujqësi, Korçë, studim mbi ndryshimet në treguesit agro-klimatikë

18/11/2023

Ndikimi i klimës në bujqësi, Korçë, studim mbi ndryshimet në treguesit agro-klimatikë

Ndryshimet klimatike përbëjnë një shqetësim për sektorin bujqësor duke shkaktuar mjaft problematika. Prodhuesit e kulturave bujqësore janë duke hasur vështirësi për shkak të rritjes së temperaturës dhe luhatjeve në shpërndarjen e reshjeve. Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve disa pedagogë të Departamentit të Agronomisë në Universitetin e Korçës, kanë ndërmarrë një studim duke grumbulluar dhe përpunuar të dhëna të treguesve agroklimatikë në qarkun e Korçës, të një periudhe 120-vjeçare.

“Ne kemi arritur në konkluzionin që veçanërisht 30 vjeçari i fundit karakterizohet nga rritje e temperaturës me një 1.8 gradë mesatare dhe është një tregues shumë i lartë po ta krahasojmë me kërkesat biologjike që kanë bimët bujqësori. Ne krahasim i të dhënave kemi ulje të ditëve me reshje”, u shpreh Prof.Asc Adriano Maho.

Një tregues i rëndësishëm i ndryshimeve klimatike që është vënë re në zonën e Korçës është edhe ulja e numrit të ditëve me borë.

“Kemi vërejtur që nga 38-40 ditë me borë që ka pasur rajoni i Korçës kemi zbritur me 10-12 ditë me reshje bore”, tha Prof.Asc Adriano Maho.

Ky studim synon t’u japë prodhuesve të kulturave bujqësore indikacione dhe përfundime të qarta mbi ndryshimet klimatike, me qëllimin final që ndryshimet klimatike nga problematika të kthehen në mundësi për rritjen e produktivitetit të kulturave bujqësore dhe zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor ne harmoni me mjedisin.

/RTSH/