RTSH 24 Live

Aktualitet

Ndez dritat e Pemës së Krishtlindjes te Kalaja, Veliaj: Dhuna, si ajo që pamë në protestë, është një akt i shëmtuar

07/12/2022

Ndez dritat e Pemës së Krishtlindjes te Kalaja, Veliaj: Dhuna, si ajo që pamë në protestë, është një akt i shëmtuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me fëmijët, pas "Sheshit Skënderbej", ndezi dritat e Pemës së Krishtlindjes edhe te Kalaja e Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj, teksa uroi të pranishmit për festat, foli edhe për dhunën e ushtruar ditën e djeshme gjatë protestës, kur tha se “ishte gjest i shëmtuar”. 

“Para se të them një gjë për fëmijët, dua të them një gjë për të rriturit, për prindërit që janë këtu edhe për të gjithë gjyshërit, e gjyshet, e mamatë dhe baballarët, edhe për babagjyshin që ka ardhur këtu. Siç e dini ne kemi filluar në të gjithë Tiranën të ndezim dritat. I ndezëm te sheshi “Skënderbej”, sot jemi këtu tek Kalaja, pastaj do jemi te Pazari, pastaj te Parku i Liqenit, që të sigurohemi që të gjitha lagjet e Tiranës kanë festë. Ne kemi pasur një vit fantastik në Tiranë, e cila nesër lë stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ndërkohë, sot në Bruksel, morëm stafetën që vitin tjetër të jemi “Qyteti Evropian i Sportit”. Në fakt, e vërteta është se jo të gjitha gjërat janë të bukura. Kur ti shikon dhunë si ato që pamë dje, ajo nuk ishte një gjë e bukur. Nuk ka rëndësi ndaj kujt, nuk ka rëndësi mosha, nuk ka rëndësi nëse jemi dakord politikisht, apo kundër politikisht. Të godasësh qoftë gruan në shtëpi, qoftë një të moshuar në rrugë, qoftë një fëmijë në klasë, janë sjellje jo civilizuese”,- u shpreh Veliaj. /rtsh.al/