RTSH 24 Live

Politikë

Ndërtimet pa leje/ Rama: Firmoset akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë

29/09/2022

Ndërtimet pa leje/ Rama: Firmoset akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës. Përmes një video-mezazhi Rama tha se 4646 m2 të ndërtuar pa leje në qendër do përdoren sipas ligjit për interes publik. Rama theksoi se kjo nismë e qeverisë do të pasohet nga të tjerë deri në metrin katror të fundit.

"Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës. Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.

E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje  që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë  gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht  duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje. Kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia  e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi,  kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri  jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga  kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga  tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto  kohë kaq të vështira.

Ja ku është edhe akti  i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik  të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë”, tha Rama.

Qeveria ka vendosur që të gjitha ndërtesat pa leje apo ato pallatet që kanë bërë disa kate shtesa mbi lejet që u janë dhënë nga bashkitë do të konfiskohen nga shteti. Këto ndërtesa do të përdoren për familjet në nevojë, strehimin e familjeve të prekura nga veprat publike si dhe do të përdoren nga shteti si zyra.

Më herët, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se tashmë do të marrin fund ndërtimet pa leje në Shqipëri pasi me satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”, do të pikasen që në momentin që do të nisin punimet.

/rtsh.al/